Liga Arabe do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duke i kërkuar adoptimin e masave të vendosura prej saj për Sirinë, në shenjë revolte kundër shtypjes së dhunshme të protestave nga regjimi i Bashar al Assad.
Kështu deklaroi kryeministri i Katarit, Hamad ben Jasem al-Khalifa.
“Ministrat e Punëve të Jashtme të Ligës Arabe që do të mblidhen në datë 21 dhjetor, do të diskutojnë në lidhje me propozimin në fjalë”, deklaroi kryeministri i Katarit. Megjithatë, Liga Arabe është shprehur kundër cdo rezolute që do të conte në një ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare në Siri për të ndaluar dhunën.
Ndërkohë, dhuna në Siri vazhdon të shkaktojë viktima. Përleshje mes ushtarakëve dezertorë dhe ushtrisë qeveritare e forcave të tjera të sigurisë janë regjistruar në disa qytetet të vendit. Në qytetin e Homsit, vetëm këtë javë, organizatat ndërkombëtare flasin për mbi 40 persona të vdekur, pjesa më e madhe e të cilëve të shkaktuara ditën e premte.
Për situatën në Siri, edhe Rusia, në një lëvizje “surprizë” kërkoi kalimin e një rezolute të propozuar prej saj dhe Kinës, ku dënohej dhuna ndaj civilëve. Megjithatë rezoluta e Pekinit dhe e Moskës përjashton ndërhyrjen ushtarake dhe vendosjen e sanksioneve të tjera kundër Damaskut.
Top Channel