Siri, 200 mijë vetë protestuan në Homs

16/12/2011 21:50

Të paktën 200 mijë manifestues të carmatosur, sipas aktivistëve sirianë, u mblodhën të premten në Homs, qyteti i tretë më i madh i Sirisë, në një ditë të re protestash të mbështetura nga opozita.

Rreth dy muaj që nga nisja dhe deri më tani ka rezultuar pak efikase iniciativa e ndërmjetësimit të Lidhjes Arabe, pasi sirianët u mblodhën në shesh të premten, ditën e lutjes islamike, për të kërkuar rrëzimin e regjimit të Assad me parullën “Lidhja Arabe po na vret”.

Homsi është prej muajsh nën kontrollin e trupave të ushtrisë dhe atyre të sigurisë dhe lagje të tëra, me shumicë sunite, janë izoluar nga pjesa tjetër e qytetit.

Aktivistët transmetuan përmes Skype ose webcam të lidhura me internetin manifestimet paqësore edhe në Hama, një tjetër qytet i përfshirë nga revoltat.

Tubime u regjistruan edhe në qytete të tjera si Dayr az Zor, në lindje të vendit, Kamishli, në veri lindje dhe me shumicë kurde, si dhe në rajonin e Darasë.

Sot Siria humbi një vend mbështetës, Rusinë, që paraqiti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një rezolutë që synon të zgjidhë krizën në vend, një lëvizje që zuri në befasi shumë vende perëndimore.

Lidhur me situatën në Siri reagoi të mërkurën Departamenti amerikan i Shtetit, një zyrtar i të cilit deklaroi se, regjimi i Assad është si një i vdekur i gjallë.

“Opinioni ynë është që regjimi të jetë si një i vdekur i gjallë”, deklaroi Frederic Hof, koordinator për cështjet e Lindjes së Mesme pranë Departamentit të Shtetit.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon kërkoi reagimin e të gjithë botës, duke iu referuar shifrës prej pesë mijë personash të vdekur.

“Kjo që po ndodh nuk mund të vazhdojë më. Në emër të njerëzimit është momenti që komuniteti ndërkombëtar të reagojë”, tha Ki Moon në konferencën për shtyp të fundvitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA