Pas gjashtë muajsh përballje në Gjykatën e Lartë ka marrë fund shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-zv/kryeministrit Ilir Meta, nën akuzë nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsion aktiv.
Gjykata e Lartë vendosi që në gjashtë janar 2012 të dëgjohen konkluzionet përfundimtare të prokurorisë ndaj të akuzuarit Meta, pavarësisht se prokurori Bujar Sheshi kërkoi 30 ditë kohë për t’u përgatitur, kërkesë e cila si gjithmonë nuk u mor parasysh për shkak të gjykimit të pandërprerë që nuk lejon tejkalim të afateve proceduriale.
Më herët dy palët, edhe mbrojtja e ish-zv/kryeministrit Ilir Meta edhe përfaqësuesi i prokurorisë, paraqitën armët e tyre të fundit në këtë shqyrtim gjyqësor.
Kolegji penal i Gjykatës së Lartë pranoi të administrojë të gjitha provat shkresore të dy avokatëve Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja, mes të cilave edhe kërkesa e Dritan Priftit bërë në vitin 2002, ku ai kërkonte të linte mandatin e deputetit për shkaqe shëndetësore.
U pranuan si prova shkresore edhe dokumentat e paraqitura nga avokatët për ankandin e naftës “Albpetrol”, si dhe një shkresë e ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, për mungesën e ekspertizës.
Gjykata e Lartë nuk u tregua po kaq bujare edhe me kërkesat e prokurorit Bujar Sheshi për administrimin si prova shkresore të mjaft procesverbaleve.
Konkretisht, kolegji penal refuzoi të konsiderojë provë shkresore kërkesën për dëgjimin në sallën e gjykatës dhe transkriptimin e videos “avi 008”, në të cilën shfaqet biseda mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit.
Prokurori e kërkoi të argumentuar këtë vendim të ndërmjetëm të gjykatës se përse nuk pranohej dëgjimi i videos në gjykatë. Po kështu, gjykata nuk pranoi si prova të prokurorisë edhe procesverbalet ku flitet se si nisën hetimet duke marrë shkas nga shtypi i përditshëm, mes të cilave kërkoi të depozitoheshin faqe të internetit të disa mediave, si dhe intervista e dhënë nga deputeti Dritan Prifti në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës.
Edhe këto prova shkresore nuk u pranuan. Por prokurorisë iu pranuan mes të tjerash procesverbali si marrje prove i laptopit, usb-orës dhe një flashi, si dhe raportet e tabulateve telefonikë, procesverbali nga sistemi TIMS që vërteton se Ilir Meta ka udhëtuar jashtë vendit menjëherë pas bisedës së regjistruar me Priftin, ashtu sikurse thotë dhe dëshmitari kyc i kësaj historie, si dhe procesverbalet për marrjen e dokumentave në QKR, që tregojnë situatën e subjekteve “Vëllezërit Tola SHPK, “Merkaj” dhe “Habilaj Holding SHPK”.
Po kështu, edhe dokumenti i dërguar nga Agjencia e Prokurorimit Publik që tregon garën koncesionare për HEC-et në Shushicë, si dhe dokumente të ankandit nga “Albpetrol SH.A”, për shitjen e naftës bruto përgjatë muajve mars-qershor 2010.
Në përfundim të procesit, përfaqësuesi ligjor i zotit Meta, Spartak Braho i bëri apel prokurorisë të reflektojë deri në gjashtë janar. “Dëgjuam të tëra argumentet e prokurorisë, për të cilat prokuroria ka bërë kërkesën e saj. Ajo ka kohë për t’i verifikuar edhe njëherë, për të mos njollosur figurën e Metës politikisht”, tha Braho.
Top Channel