Itali, Monti kërcënohet nga votëbesimi

16/12/2011 09:15

Qeveria italiane e Kryeministrit Mario Monti përballet me një votëbesim kyç në parlament, ndërsa po përpiqet të miratojë një projekt të madh kursimesh.

Kabineti Monti do të rrëzohet nëse parlamenti nuk do të aprovojë planin e reduktimit të investimeve me 33 miliardë euro, por ekspertët thonë se kjo ka shumë pak gjasa që të ndodhë dhe se plani duhet të miratohet pa shumë vështirësi nga deputetët.

Monti, i ardhur në krye të shtetit italian në nëntor, udhëheq një qeveri specialistësh, të destinuar për nxjerrjen e vendit nga kriza ekonomike. Ai është një financiar i shumëvlerësuar në Europë, ndërsa ka mbajtur më parë edhe detyrën e Komisionerit të Konkurrencës në BE.

Në një fjalim të mëparshëm, Monti e konsideroi planin që do t’i propozojë të premten parlamentit për miratim si “thelbësor” në rikthimin e besimit të tregjeve ndërkombëtare në ekonominë italiane.

Nëpërmjet rritjes së taksave, reduktimit të shpenzimeve dhe një reforme pensionesh, Italia synon që të balancojë buxhetin e saj deri në vitin 2013. Megjithatë, sipas ekspertëve, shtrenjtimi i vazhdueshëm i huamarrjes mund të “minojë” përpjekjet e qeverisë për të rikthyer ekonominë italiane në shinat e duhura.

Dy partitë kryesore në Itali kanë kërkuar që plani të rishikohet, por analistët shprehen se ka pak gjasa që një prej dy forcave të votojë kundër, pasi kështu do të merrte përsipër përgjegjësinë për rënien e kabinetit të sapoformuar dhe zhytjen e vendit në një krizë edhe më të thellë.

Kryeministri i mëparshëm, Silvio Berlusconi, lideri i “PDL”-së në pushtet, u shpreh se partia e tij do të votojë pro vetëm për shkak të ndienjës së përgjegjësi që ndien, por jo sepse është dakord me sakrificat që po u kërkohet italianëve që të bëjnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA