Siri, ushtarët, urdhër për të qëlluar

15/12/2011 00:00

Organizata Human Rights Watch ka deklaruar se ushtarëve sirianë u është
thënë nga komandantët e tyre që të ndalin protestat anti-qeveritare “me
cdo mënyrë të nevojshme”.

Grupi që lufton për të drejtat e njeriut foli me një numër të madh ushtarësh dezertorë të cilët thanë se e kishin interpretuar urdhërin e eprorëve si një autorizim për të përdorur forcë vdekjeprurëse.

Protestat qeveritare në Siri kanë vazhduar pavarësisht se presidenti Bashar al Assad është përpjekur t’i shtypë ato me forcë, duke vrarë mijëra qytetarë.

Kombet e Bashkuara deklaruan pak ditë më parë se rreth 5 mijë persona kanë vdekur në shtatë muaj protesta, për të cilat Siria fajëson grupe kriminale të armatosura.

Në aktet e fundit të dhunës, aktivistët e HRW thonë se 27 anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë nga ushtarët dezertorë në provincën jugore të Derasë.

Gjithashtu, 25 persona thuhet se u vranë të mërkurën gjatë një luftimi në afërsi të qytetit të Hamës. Gazetarët e huaj në Siri përballen me kufizime të rrepta të lëvizjes dhe e kanë të pamundur verifikimin e lajmeve.

Lidhur me situatën në Siri reagoi të mërkurën Departamenti amerikan i Shtetit, një zyrtar i të cilit deklaroi se, regjimi i Assad është si një i vdekur i gjallë.

“Opinioni ynë është që regjimi të jetë si një i vdekur i gjallë”, deklaroi Frederic Hof, koordinator për cështjet e Lindjes së Mesme pranë Departamentit të Shtetit.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon kërkoi reagimin e të gjithë botës, duke iu referuar shifrës prej pesë mijë personash të vdekur.

“Kjo që po ndodh nuk mund të vazhdojë më. Në emër të njerëzimit është momenti që komuniteti ndërkombëtar të reagojë”, tha Ki Moon në konferencën për shtyp të fundvitit.

Top Channel