
Rezultatet e zgjedhjeve legjislative të 4 dhjetorit reflektojnë
opinionin publik rus. Kështu ka deklaruar kryeministri rus Vladimir
Putin, në një fjalim direkt në televizion me qytetarët.
“Nëse protestat në rrugë janë rezultat i regjimit të Putin, atëherë janë në rregull”, ka thënë kryeministri, që vitin e ardhshëm pritet të kthehet në kolltukun e Kremlinit.
Ai ka propozuar nga një web camera në cdo qendër elektorale, aktive 24 orë në 24, për t’u dhënë mundësi qytetarëve që të kontrollojnë votimin.
Në vijim të fjjalimit të tij, Putin ka akuzuar sërish Shtetet e Bashkuara, të cilat sipas tij duan “vasalë” dhe jo “aleatë”. “Por vendet e tjera janë lodhur nga diktati i tyre”, ka thënë Putin.
Ndër të tjera, kryeministri ka bërë përgjegjëse administratën amerikane për përfshirje në vrasjen e liderit të Libisë, Muammar Gaddafi.
“Disa avionë të telekomanduar, në vecanti amerikanë, sulmuan autokolonën dhe më pas, përmes radiove të forcave speciale, të cilat s’kishin asnjë motiv për të qëndruar atje, bënë që të mbërrinte opozita me luftëtarët e saj, të cilët e vranë pa një proces gjyqësor”, ka thënë Putin.
Më tej Putin i ka hapur dyert opozitës parlamentare në Rusi, duke premtuar se do të liberalizojë sistemin politik që mund të sjellë në regjistrimin e partive të vogla, që dëri më sot janë refuzuar nga Ministria e Drejtësisë.
“Mirë, do t’i regjistrojmë, do të shohim”, ka thënë Putin, i cili ka komentuar edhe figurën e rivalit të tij në garën për Kremlinin, oligarkun e pasur Mikhail Prokhorov, të cilin e ka cilësuar “një konkurrent të fortë”.
“Nuk dua t’i bëj urime, sepse edhe unë garoj si kandidat, por ai do të jetë një konkurrentë i fortë”, ka thënë kryetari i Rusisë së Bashkuar.
Prokhorov është oligarku i parë rus që zbret në fushën e politikës, tetë vjet pas arrestimit të ish-bosit të kolosit “Yukos”, Mikhail Khodorkovski, i dënuar në dy procese që thuhet se janë orkestruar nga regjimi putinian.
Rezultati i zgjedhjeve të 4 dhjetorit në Rusi, që sugjeronte fitoren e partisë Rusia e Bashkuar, shkaktoi një zinxhir protestash qytetare në Moskë dhe më gjerë.
Protestat arritën kulmin të shtunën, kur u organizua manifestimi më i madh që nga rënia e Bashkimit Sovietik, me rreth 50 mijë qytetarë që zbritën në rrugë.
Po javën e kaluar, Putin akuzoi Shtetet e Bashkuara si orkestruese të protestave post-zgjedhore në Rusi, duke e vënë theksin tek një deklaratë e sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.
Gjithashtu, ai refuzoi të pranonte se partia e tij ishte më e humbura nga zgjedhjet e ditës së dielë dhe i cilësoi si të zakonshme luhatjet në votime.
Ndërsa ish-presidenti sovjetik, Mikail Gorbachev, iu bashkua kritikëve të zgjedhjeve parlamentare në Rusi, duke thënë se votimet e së dielës u karakterizuan nga manipulime të mëdha.
Ndërkohë, të mërkurën, gazetarët e një gazete ruse nënshkruan një letër të hapur proteste ndaj kryeministrit Putin, disa ditë pasi dy drejtuesit më të lartë të “Kommersant” u hoqën nga detyra pas kritikave që bënë për parregullsitë në zgjedhje.
Analistë të shumtë, parashikojnë se për të ruajtur pushtetin e tij, Putin do të bëjë “kurban” bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Dmitri Medvedev, duke mos e caktuar në postin e kryeministrit.
Top Channel