Vandalë i vunë zjarrin një xhamie të dytë në Bregun Perëndimor, në atë që ishte sulmi i dytë i këtij rasti gjatë javës.
Të mërkurën, ekstremistë hebrenj përdhosës një xhami historike të ndodhur në Jeruzalem, duke ngjallur një sulm të ashpër verbal nga popullsia muslimane dhe nga drejtuesit e shtetit të Izraelit.
”Ky është një akt makabër dhe prej frikacakësh”, theksoi shefi i komunitetit musliman në Ramallah, Abdelqadr Sumrean. “Ata duan që ne të largohemi nga toka jonë, por kjo nuk ka për të ndodhur kurrë”.
Askush nuk ka parë se kush i vendosi flakën objektit të kultit gjatë natës. Megjithatë, duke qenë se fshati i Burkës, ku ndodhej xhamia, është pranë kolonës hebreje të Migronit, bën të mendohet se përdhosja u krye prej kolonëve ekstremistë.
Tensioni midis izraelitëve dhe palestinezëve ka ardhur në rritje së fundmi, si rrjedhojë e vendosmërisë së Tel Avivit zyrtar për të vazhduar ndërtimin e kolonive në tokën palestineze, pavarësisht se një vendim i tillë ka sjellë ndërprerjen e bisedimeve të paqes.
Izrael, vandalët përdhosin xhaminë shekullore
Të mërkurën, një grup vandalësh i vuri flakën një xhamie të shekullit XII në qendër të Jeruzalemit dhe vendosi mesazhe fyese ndaj Profetit Muhamed në muret e xhamisë.
Mesazhi ishte i shkruar në hebraisht. Kryebashkiaku i Jeruzalemit dënoi ashpër sulmin, i cili gjithsesi nuk shkaktoi dëme strukturore në objektin fetar.
Ndonëse nuk janë identifikuar përgjegjësit e sulmit, mendohet se ai u ndërmorr nga grupet e kolonëve hebrenj apo ekstremistëve, të irrituar nga vendimi i Tel Avivit për të kufizuar ndërtimin e banesave për hebrenjtë në Bregut Perëndimor dhe Palestinë.
Të martën, protestues arritën të hynin deri në rrethimin e brendshëm të një baze ushtarake izraelite në Kalqilia, duke i vënë flakën gomave të disa mjeteve e shkaktuar dëme të tjera.
Kryeministri Benjamin Natanyahu i cilësoi zhvillimet e fundit si të “papranueshme” dhe i kërkoi forcave policore që të tregojnë të gjithë ashpërësinë e tyre në ndëshkimin e përgjegjësve.
Për shkak të situatës së veçantë politike dhe për faktin që popullsia e Izraelit është e bërë nga shumë muslimanë, urrejtja ndërfetare përbën një kërcënim të madh për qëndrueshmërinë e shtetit hebre.
Top Channel