Italia dhe Libia ripërtërinë traktatin e tyre të miqësisë, konfirmuan dy krerët e shteteve, pas një takimi në Romë gjatës së enjtes.
Lajmërimin e dha vetë Monti, në përfundim të takimit me homologun e tij të qeverisë së përkohshme libiane, Mustafa Jalil. Një marrëveshje e mëparshme miqësie ishte firmosur në vitin 2008 nga koloneli Muammar Gaddafi dhe Silvio Berlusconi.
Në fjalën e tij, Monti qartësoi se vendi do të vazhdojë procesin e dërgimit të aseteve libiane të bllokuara në vendin afrikan. Deri më tani, Italia i ka rikthyer Libisë një pasuri me vlerë 600 milion euro.
Jalil, i cili u takua gjithashtu me Presidentin Giorgio Napolitano, theksoi se për vendin është thelbësore që pasuritë e tij të zhbllokohen sa më shpejt, pasi ato do të jenë të domosdoshme për të siguruar rilindjen ekonomike të vendit.
Ndërkohë, gjigantët e naftës italiane, ENI, kanë arritur deri në 70% të prodhimit të përpara luftës, në Libi. Në bazë të marrëveshjes së firmosur më parë, ENI duhet të paguajë një total prej 15 miliardë eurosh për të ndërtuar një superautostradë që do të përshkrojë shkretëtirën afrikane, duke lidhur Libinë me Tunizinë dhe Egjiptin.
Monti premtoi se pavarësisht vështirësive ekonomike italiane, plani vazhdon të jetë në zbatim dhe se investimi do të nisë shumë shpejt.
Top Channel