Islanda njeh Palestinën

15/12/2011 18:30

Islanda njoftoi njohjen formale të shtetit të Palestinës, duke u bërë kështu vendi i parë perëndimor që njeh shtetin palestinez.

Ky është vendimi i marrë nga parlamenti islandez pas seancës ku u shqyrtua kërkesa palestineze për njohje të shtetit.

“Në këtë ditë ju prezantoj deklaratën e pavarësisë së Palestinës e cila përputhet me vullnetin e parlamentit islandez”, tha Ministri i Jashtëm islandez, Ossur Skarphedinsson gjatë një takimi me homologun e tij palestinez, Riyad al Maliki.

Palestina ka rritur ndjeshëm lobimin pranë vendeve perëndimore për njohjen e saj. Autoriteti palestinez, pak muaj më parë u anëtarësua si shtet në organizatën e Kombeve të Bashkuara për Trashëgiminë Kulturore, UNESCO.

Ky anëtarësim shkaktoi reagimin e fortë të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, të cilat vendosën pezullimin e fondeve për këtë organizatë, fonde që shkojnë deri në 70 milion dollarë, ose 20 përqind e buxhetit vjetor të UNESCO-s, që përdoret për restaurimin dhe ruajtjen e objekteve kulturore në mbarë botën.

Ndërkohë, në Kombet e Bashkuara është dorëzuar kërkesa e Autoritetit Palestinez për njohjen si shtet dhe anëtarësim me të drejta të plota në organizatë. Kërkesa bëri që të nisin beteja të forta diplomatike mes vendeve pro dhe kundër njohjes së Palestinës.

Vetë Shtetet e Bashkuara deklaruan se do të përdorin veton në Këshillin e Sigurimit për të ndaluar njohjen dhe anëtarësimin e Palestinës si shtet në OKB. SHBA thotë se nuk është kundër shtetit palestinez, por shprehet e vendosur se ky shtet duhet të lindë nga bisedimet me palën izraelite.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA