
Një gjykatë franceze dënoi me 2 vjet burgim me kusht ish presidentin e vendit Zhak Shirak për përvetësim të fondeve publike dhe abuzim me besimin e njerëzve.
Vetë Shiraku, 79 vjecar, nuk ndodhej në sallën e gjyqit për shkak të problemeve shëndetësore, por deri më tani, nuk ka pranuar asnjëherë të ketë kryer ndonjë shkelje.
Familjarët mbetën të zhgënjyer nga vendimi, ekipi i tij ligjor tha se do të reflektojë mbi mundësinë e apelimit, ndërsa avokati i shoqatës civile që ngriti padinë, u shpreh i kënaqur.
“Sistemi francez i drejtësisë është treguar shumë i ashpër me Zhak Shirakun. E gjithë kjo është e dhimbshme për familjen, por ne duhet ta pranojmë vendimin”, tha vazja e adoptuar e Shirak, Anh Dao Traxel.
“Them se duhet t`i jepet kohë për të menduar sesi do të veprojë, nëse do të vendosë apo jo ta apelojë këtë vendim. Sidoqoftë, nuk besoj se ka për të ndryshuar perceptimi i francezëve për të apo veprimet e tij gjatë 12 viteve që shërbeu si president i vendit”, tha avokati mbrojtës, Georges Kiejman.
“Mbi të gjitha, ky hap u dërgon një mesazh të fuqishëm të gjithë politikanëve dhe njerëzve të veshur me pushtet, që mendojnë se mund të sillen në të njëjtën mënyrë e të mos ndëshkohen. Është një vendim historic”, tha Jerome Karsenti, avokat i platformës civile Anticor.
Shirak, ish-president i Francës në periudhën e viteve 1995-2007, u vu në bankën e të akuzuarve për shkelje gjatë kohës kur ka qenë kryebashkiak i Parisit.
Sipas akt-padisë, ai asokohe ka paguar anëtarët e partisë së tij Bashkimi për Republikën si gjoja të punësuar në bashki, kur në fakt postet e tyre nuk ekzistonin.
Gjatë qëndrimit të tij në krye të shtetit një sërë figurash të policisë franceze, përfshirë ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Alain Juppe, u dënuan lidhur me këtë cështje.
Zhvillimet e kthejnë Zhak Shirakun në të parin ish president të Francës të dënuar që prej kohës kur marshalli Philippe Petain, lideri i regjimit të Vichy-së, u shpall në 1945-ën fajtor për bashkëpunim me nazistët.
Korrespondenti i BBC-së në Paris thotë se vendimi është deri diku një surprizë për publikun francez, duke qenë se prokurorët nuk kishin arritur të provonin që Shiraku ka qenë vërtet në dijeni të vendeve të rremë të punës.
Sa për karakterin e tij, kjo është një njollosje, ndërsa vetë dënimi është i zbutur në krahasim me maksimalin e mundshëm, që do të ishte 10 vjet heqje lirie dhe një gjobë prej 150.000 eurosh.
Top Channel