Dezertorë të ushtrisë siriane, të bashkuar me rebelët që po luftojnë kundër al-Assad, rrëfyen në një intervistë të transmetuar në “CNN” barbaritë që po ndodhin në vendin e madh arab.
”Ushtarët e qeverisë torturojnë njerëzit në mënyrë më çnjerëzore. U detyruam të vrisnim tetë persona në 15 minuta, ndryshe do të ishim ne ata që do të vriteshin. Megjithatë, kur na urdhëruan që të hapnim zjarr ndaj një turme prej 1 500 personash, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, flaka armën dhe iu bashkova turmës”, rrëfen një prej dezertorëve.
”Zakonisht, ushtria lejon turmat e protestuesve që të afrohen deri 50-100 metra dhe atje nisin të qëllojnë me mitraloz. Kështu garantohen më shumë viktima”.
Dëshmia tronditëse, transmetuar të enjten nga rrjeti gjigant amerikan të informacionit vazhdon: “Në një protestë, një djalë i ri u afrua duke bërtitur: “Nëse je burrë më qëllo”. Një ushtar besnik i Assad që ndodhej pranë meje nxorri pistoletën dhe e qëlloi në krah. Kur po përpiqej ta arrestonte, u afrua e ëma duke bërtitur. Në atë moment e qëlloi me një plumb në kokë, përpara syve të nënës. Më pas, e ekzekutoi edhe atë mbi trupin e të birit. Të gjithë protestuesit ishin të paarmatosur”.
Një tjetër dezertor i arratisur në Turqi në maj, dëshmonte se drejtuesit i njësisë së tij ushtarake i bënte të qartë se nuk ishte detyra e tyre të arrestonin njerëz, por vetëm të vrisnin. “Megjithatë, ata që vriteshin kishin një fat shumë më të mirë se ata që binin në duart tona”, siguroi dezertori.
Më parë gjatë muajit, Organizata e Kombeve të Bashkuara e konsideroi dhunën në Siri si “krim kundër njerëzimit”. Sipas raportit të OKB-së, më shumë se 5 mijë civilë janë vrarë që prej fillimit të revoltave në muajin maj, shifër e përgënjeshtruar nga Damasku si “joreale” dhe “dashakeqëse”.
Top Channel