Hungaria dhe Republika Ceke shprehen dyshimet e tyre në lidhje me iniciativën e Francës dhe Gjermanisë për një sistem fiskal më të unifikuar të vendeve të Bashkimit Europian.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban deklaroi se vendi i tij nuk dëshiron të bashkohet në asnjë nismë që harmonizon sistemin fiskal dhe taksat në Bashkimin Europian. Ai tha se harmonizimi i sistemit fiskal mund të bëhet vetëm ndërmjet vendeve të eurozonës.
Harmonizimi i sistemit fiskal në gjithë BE-në, u propozua nga Gjermania dhe Franca në samitin e mbajtur në Bruksel pak ditë më parë. Berlini dhe Parisi mendojnë se një sistem i tillë do të parandalojë kriza financiare të ngjashme me këtë aktuale në të ardhmen.
Por propozimi i dy vendeve më të mëdha të eurozonës, nuk u firmos nga Britania e Madhe, e cila i vuri veto edhe kërkesës për ndryshimin e traktateve të unionit. Ndërkohë që 9 vendet e tjera, jo anëtare të zonës euro, deklaruan se do të lënë kuvendet përkatëse për të vendosur nëse do t’i bashkohen ose jo kësaj nisme.
Ndërkohë, kryeministri cek, Petr Necas, që ndodhet për një vizitë në Budapest, tha se aplikimi i një sistemi fiskal të përbashkët në të gjithë BE-në, nuk do të ishte gjë e mirë për Cekinë dhe as për Hungarinë.
Top Channel