Vajza e ish-diktarorit të Libisë, Muammar Gaddafit, i dërgoi një kërkesë zyrtare Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të hetojë për vrasjen brutale të 69-vjeçarit në tetor, ngjarje që i dha fund luftës civile disa-muajshe në vend.
Në një letër të drejtuar selisë së OKB-së në Nju Jork, Aisha Gaddafi kërkon informacion mbi hapat që ka hedhur Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, në hetimin e ekzekutimit së babait dhe vëllait të saj Mutassim.
Avokati që mbron interesat e saj, Nick Kaufman, theksoi se vrasja e tyre nuk justifikohet nga asnjë ligj, pasi në momentin e dorëzimit ata ishin të paarmatosur dhe nuk paraqisnin asnjë rrezik për asnjë.
Kaufman i shkroi kryeprokurorit Luis Moreno-Ocampo: “Vrasja e tyre, tronditëse për nga rrethanat, nuk mund të kalojë e anashkaluar. Nëse OKB nuk është duke hetuar për ekzekutimin monstruez të një lideri të zgjedhur të një populli, atëherë çfarë garancish i jep popullit libian për vendosjen e një drejtësie të standarteve ndërkombëtare në vend?”.
69-vjeçari Muammar Gaddafi drejtoi Libinë nga viti 1969-2011, duke u shndërruar në një figurë me shumë dritë-hije në historinë e vendit afrikanoverior. Ai u rrëzua dhe më pas u vra, nga rebelët që nisën kundër tij një luftë të përkrahur nga NATO.
“Imazhet e kafshërisë me të cilat u realizuar ekzekutimi, të transmetuara drejtëpërsëdrejti në të gjithë botën, i kanë shkaktuar klientes sime probleme të mëdha emocionale”, argumentoi avokati i Aisha Gaddafit.
Top Channel