Trafik droge me makinë diplomatike?

14/12/2011 21:15

Emisioni investigativ “Fiks Fare” ka pasqyruar në puntatën e 14 dhjetorit një ngjarje që mund të konsiderohet si skandal për diplomacinë shqiptare.

Emisioni, pasi ka konstatuar në një të përditshme ceke një artikull për trafik droge me makinën e ambasadës shqiptare në Pragë, ka investiguar ngjarjen.

Bëhet fjalë për një trafikant kosovar, i cili sipas gazetës ceke ka përdorur një makinë diplomatike shqiptare për të transportuar lëndën narkotike.

Gazetarja e “Fiks Fare”, Juli Ristani ka udhëtuar në Pragë dhe ka intervistuar shefin e anti-drogës të Republikës Ceke, Jakob Friedrich, i cili ka deklaruar se hetimet conin në konstatimin se trafikanti kishte përdorur automjetin e ambasadës.

“Personi i hetuar nga ne përdorte makinat e ambasadës shqiptare. Sipas zbulimeve tona, ai i ka përdorur nga viti 2004-2010. Formalisht ai ka patur leje me shkrim nga ambasada, por s’ka pasur pasaportë diplomatike, që do të thotë se nuk mund të përdorte makinat e ambasadës”, ka deklaruar Friedrich.

Zyrtari i lartë i policisë ka bërë të ditur se ka kontaktuar me ambasadën shqiptare në Pragë, e cila ka pranuar marrëdhëniet ne trafikantin, i identifikuar me mbiemrin Saraci.

“Ne kemi komunikuar me ambasadën shqiptare dhe na është konfirmuar se personi i hetuar ka komunikuar me ambasadën shqiptare. Se për cfarë, pyesni ambasadën shqiptare. Një lidhje mes ambasadës dhe personit është, derisa ai ka pasur mundësi të përdorë makinën, por më shumë nuk jam në gjendje të them”, ka pohuar shefi i anti-drogës, i cili ka dhënë edhe detaje nga biseda me selinë diplomatike shqiptare.

“Në fazën e parë nga ambasada na u tha se personi kishte marrë leje për të përdorur makinë diplomatike dhe se ai ka qenë këshilltar i jashtëm i ambasadës shqiptare. Por, nëse nuk ka imunitet diplomatik, ai nuk mund të përdorë makinë diplomatike”, ka saktësuar ai.

Zoti Friedrich ka bërë të ditur se është takuar edhe me ambasadorin shqiptar, i cili ka kërkuar përgënjeshtrimin e lajmit në të përditshmen ceke. “Por unë refuzova, sepse nuk isha unë autori i artikullit”, ka theksuar Friedrich.

Ndërkohë, ambasadori shqiptar Genc Pecani, i intervistuar nga Top Channel, thotë se e përditshmja ceke e ka përgënjeshtruar artikullin dhe madje i ka kërkuar falje ambasadës.

“Është e vërtetë botimi i artikullit në shtator, sikurse është e vërtetë se në tetor u botua një përgënjeshtrim nga tabloidi që e kishte shkruar, që i kërkoi falje ambasadës shqiptare”, ka deklaruar Pecani.

Diplomati ka theksuar se, përsa kohë që ai drejton ambasadën shqiptare në Pragë, nuk ka pasur asnjë rast që personi i hetuar të ketë përdorur makinat diplomatike.

“Përgjigjia më e mirë është përgënjeshtrimi i gazetës. Unë jam interesuar tek shefi i anti-drogës dhe tek Ministria e Jashtme nëse kanë ndonjë evidencë dhe sipas informacionit që kam marrë, nuk ka asnjë evidencë që implikon personin me makinën e ambasadës”, ka vazhduar ai.

“Personi i hetuar nuk ka pasur një pasaportë diplomatike shqiptare. Mua zoti Friedrich më tha se nuk disponon një provë apo evidencë të përfshirjes së personit me ambasadën. Unë këtë person nuk e njoh dhe s’e kam takuar”, ka shtuar ambasadori Pecani.

Makina diplomatike thuhet se përdoret zyrtarisht nga konsullja e ambasadës shqiptare në Pragë, Katerina Celo, e cila për Top Channel ka pohuar njohjen e trafikantit kosovar, por ka mohuar përdorimin e automjetit për qëllime trafiku. “E njoh Saracin ashtu sic njoh shqiptarë të tjerë në Ceki”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme shqiptare, duke iu përgjigjur interesit të Top Channel ka deklaruar se: “S’kemi pasur asnjë të dhënë për përdorimin e makinës nga një person i paautorizuar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA