Gazetarët e një gazete ruse nënshkruan një letër të hapur proteste ndaj Kryeministrit Vladimir Putin, disa ditë pasi dy drejtuesit më të lartë të “Kommersant” u hoqën nga detyra pas kritikave që bënë për parregullsitë në zgjedhje.
Më shumë se 60 antarë të stafit të gazetës së përditshme ekonomike nënshkruan letrën, pasi pronari i tyre, manjati i minierave Alisher Usmanov hoqi nga detyra kryeredaktorin dhe manaxherin e përgjithshëm. Usmanov, i cili zotëron një pjesë të aksioneve të klubit të futbollit të Arsenalit, njihet si një person i afërt me Putin.
“Jemi duke u etiketuar si frikacakë, të pavlefshëm dhe joproduktivë”, shkruhej në letrën e publikuar edhe në internet. Dy drejtuesit Maxim Kovalsky dhe Andrei Galiyev, zyrtarisht u larguan pasi “shkelën kodin e etikës”, kur publikuan në revistën e publikuar nga e njëjta gazetë fotografinë e Putinit në kopertinë, me titullin “Rusia e Bashkuar e “mbushësve” të kutive””.
Titulli bënte një lojë fjalësh me “Rusinë e Bashkuar”, partinë e njerëzve më të fuqishëm të vendit, Kryeministrit Putin, kandidat për një mandat të tretë në krye të Kremlinit në mars 2012 dhe Presidentit Medvediev.
Një drejtues i tretë i lartë mori përsipër përgjegjësinë dhe dha dorëheqjen. Në letrën e protestës, stafi i “Kommersant” shpjegon se titulli nuk shprehte qëndrimin editorial të gazetës, por atë që njerëzit mendonin pas zgjedhjeve. Rusia ka vlerësime shumë të ulta përsa i përket lirisë së mediave.
Top Channel