Meksikë, arrestohet themeluesi i Los Zetas

14/12/2011 15:45

Një nga themeluesit e kartelit famëkeq të narkotrafikut, Los Zetas, që “bën ligj” në 10 nga 32 shtetet e Meksikës, është arrestuar në një operacion të marinës meksikane.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, sipas të cilëve bëhet fjalë për Raul Lucio Hernandez Lechuga, i cili është një nga 37 kriminelët më të rrezikshëm të Meksikës.

Sipas burimeve, Lechuga, i njohur ndryshe me pseudonimet “Fatlumi” ose “Z-16”, u arrestua në qytetin e Kordobës, pas disa informacioneve të mbledhura në rrugë operative nga forcat e sigurisë.

I pari që konfirmoi lajmin e arrestimit të të shumëkërkuarit ka qenë vetë presidenti Felipe Calderon, që në këto vite i ka shpallur luftë trafikut të drogës.

Megjithatë, strategjia e kreut të shtetit nuk ka rezultuar edhe aq efikase, pasi gjatë mandatit të tij në Meksikë janë regjistruar rreth 40 mijë vrasje që u atribuohen karteleve kriminale.

Gjithashtu, një goditje e rëndë për presidentin Calderon ishte vdekja e ministrit të Brendshëm në një aksident ajror me helikopter në Meksiko pak kohë më parë.

Ndërkohë, personi më i kërkuar në shtetin latin, që konsiderohet si mbreti i narkotrafikut, është Joaquin “El Chapo” Guzman, lider i kartelit famëkeq të Sinaloas.

Guzman, i cili është i pari në listën e bosëve më të rrezikshëm të mafias në botë, mori një goditje të rëndë muajin e kaluar, pasi forcat e policisë i sekuestruan plot 15 milionë dollarë, fryt i trafiqeve të drogës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA