Egjipt, mbahet raundi i dytë i votimeve

14/12/2011 16:40

Egjiptianët i janë rikthyer kutive të votimit, në raundin e dytë të zgjedhjeve të para parlamentare që prej largimit të Hosni Mubarakut pas tre dekadash në pushtet, në muajin shkurt.

Votimet e ditës së mërkurë kanë qenë të qeta dhe nuk janë regjistruar parregullsi të mëdha. Raundi i parë i votimeve u dominua nga partitë islamiste të moderuara, me “Vëllazërinë Muslimane” dhe “Partinë e Drejtësisë” që fituan më shumë vota. Sipas parashikimeve, në raundin e dytë ato pritet të konsolidojnë edhe më shumë pozitat e tyre.

Procesi i gjatë dhe kompleks i votimeve do të përfundojë vetëm në fillim të janarit. Egjiptianët janë duke përzgjedhur dhomën e ulët të parlamentit, nga ku do të zgjidhen më pas 100 përfaqësues, të cilët do të formojnë një komitet që do të hartojë një kushtetutë të re për vendin.

Sipas formulës së ndërlikuar elektorale në vend, dy të tretat e 498 antarëve të parlamentit zgjidhen nga lista proporcionale të partive dhe koalicioneve. Pjesa tjetër e vendeve i shkon kandidatëve më të votuar për secilën zonë, pasi deputetë potencialë konkurrojnë përballë tyre.

Me shqetësim për komunitetin ndërkombëtar është parë rritja e popullaritetit për disa parti ekstreme islamiste, si “Al-Noor” e disa lëvizje salafiste, të cilat kërkojnë hyrje në fuqi të ligjit islamik në vendin me 84,5 milion banorë.

Egjipti u përfshi në protesta të dhunshme në muajin nëntor, ku u regjistruarn 42 të vrarë. Demonstruesit kërkonin më pak fuqi për Këshillin Suprem Ushtarak që drejton vendin në cilësinë e një qeverie provizore. Votimet për presidentin e ri të shtetit do të mbahen në mes të vitit 2012.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA