Dhjetë vjet lajme në Top-Channel

14/12/2011 19:20

Në datën 20 dhjetor, “Top-Channel” mbush dhjetë vjet nga krijimi i tij dhe së bashku me të, edhe edicioni i lajmeve feston dekadën e tij të ekzistencës. Katër nga ai grusht njerëzish të talentuar që hodhën gurin e parë të “TCH”, së bashku me Dritan Hoxhën, dëshmuan në emisionin e “Pasdites” për fillesën e lajmeve që do të revolucionarizonin të gjithë tregun mediatik dhe jetën e përditshme të shqiptarëve.

“Kujtojmë shumë gjëra nga fillimi, por mbi të gjitha nuk do të harroj mbledhjen e parë,  ku na u tha që do fillonim një televizion”, kujton drejtori i informacionit, Bledar Zaganjori. “Ishim rreth 7-8 veta në një zyrë, bashkë me Dritan Hoxhën, në një ditë maji të vitit 2001, kur na informuan për këtë. Ne ishim fëmijë dhe nuk e dinim çpo bënim. Na thanë që do të krijonim një televizion, por e kishim shumë pak të qartë dhe e shihnim si një lodër, ndërsa ai që na e shpjegonte ishte Dritan Hoxha. Mes shumë gjërave që na ka thënë, do të mbaj mend shprehje të tipit “duhet ta bëjmë sepse asnjëherë nuk kam lënë diçka në mes” dhe “duhet ta bëjmë më të mirin që në fillim, sepse nuk pranuar asnjëherë që të jem i dyti”. Dhe çështë e vërteta, në fare pak kohë, Top-Channel u bë i pari. Ndonëse ne nuk e kishim shumë të qartë, Tani gjithmonë na thonte që ta ndiqnim, pasi e kishte televizionin në mendje dhe ne do ta shihnim këtë pak nga pak. Dhe po flasim për një kohë kur nuk kishim as ambiente dhe sapo kishim filluar të mendonim se ku do të vendoseshim”.

Kryeredaktori i lajmeve, Mentor Kikia, ishte gjithashtu një ndër personat që hodhi gurin e themeleve të atij që u bë televizioni më i suksesshëm në vend. Midis shumë revolucioneve që kreu “Top-Channel”, më i madhi ishte ai në planin teknologjik. “Grafikat ishin pjesë e një revolucioni të tërë teknik. Mediat dhe televizionet sidomos ishin amatoreske në vitet kur ne nisëm të funksiononim, kishin një teknologji të prapambetur. Grafika jonë themeloi disa standarte, themeloi modele. Në fakt. Me sollëm teknologji të avancua dhe u ndoqëm nga mediat e tjera. U bëmë novator që nga dita e parë e deri tek teknologjia e sotme “high definition””.

Duke kujtuar kohën kur vendoseshin këto standarte, Kikia shton: “Ne sollëm lajmin ndryshe, krijuam standart dhe marrëdhenie te reja të punës, pasi media ishte sektori më zi që ekzistonte deri atëherë përsa i përket raporteve profesionale. Krijuam një standart të ri pagesesh nga mediat e tjera. Në atë kohë, tregu ishte një katrahurë dhe të tjerët u detyruan të na ndiqnin prej konkurrencës.

Grafikat ishin pjesë e punës së një stafi tepër të zotë, që Tani dinte t’i përzgjidhte, pasi e njihte shumë mirë teknikën. Ai ishte më shumë se pronari që paguan apo përfiton të ardhurat. Ai ishte ideatori, njeriu që qëndron pas të gjithë programeve që lindën. Ai ishte një inxhinjer i padiplomuar, i cili arrinte të korrigjonte edhe inxhinjerët profesionistë. Tani, në fakt ishte një manjak i madh i çdo elementi skenografik, çdo sigle dhe ngjyre që dilte në ekran. Në këtë aspekt, askush nuk mund t’ia hidhte dhe asgjë nuk mund të dilte në ekran pa miratimin e tij”.

Monika Shoshori Stafa, një nga folëset që identifikohet me ekranin tonë që prej edicionit të tij të parë të lajmeve, thuajse dhjetë vjet më parë, kujtoi hendekun e kalimit nga një media tjetër, në radhët e “Top-Channel”, në fillimin e mijëvjeçarit të ri. “Kishte shumë gjëra që ndryshonin, duke nisur nga grimi, por këtë mund të flasin profesionistët e kësa fushe. Unë u prita në një skuadër njerëzish me zemër të mirë. Pata fat sepse skuadër e tilë nuk gjendet sot, pavarësisht talentetit e dëshirës për të punuar. Në dyjavëshin e dytë të majit isha shkëputur nga një mjedis i zymtë i TV Arbërisë. Miqtë që më ftuan të punoja më ta më thanë që do të krijohej një televizion i ri dhe nuk e di se si nuk u tregova skeptike e pranova, pasi punoja në një televizion Kombëtar atëherë.

Megjithatë, unë besova tek miqtë e mirë që janë këta njerëz në panel, por edhe Enkel Demi e Fatos Baxhaku në atë kohë. Ne na u besua një ëndërr. E vështirë, por edhe ne ishim pak aventurirë në atë kohë. Tani donte diçka perfekte dhe me maninë e tij për të mos neglizhuar asnjë detaj, shpesh na habiste. Nisëm të bënim prova, për muaj të tërë punonim si një redaksi e vërtetë, por pa dalë në transmetim. E pyesnim me padurim se kur do të dilnim, kur do të konkretizohej puna, por ai na thonte se asgjë nuk e shtynte të nxitohej. “Duhet të ishim perfekt që në sekondën e parë të transmetimit”. Këtë na thonte. “Top-Channel” duhet të ishte një televizion që do t’I habiste shqiptarët që në fillim”.

Një rrugë të gjatë ka bërë në “Top-Channel” edhe Enkelejd Llanaj, sot kryeredaktor i lajmeve ekonomike. “Avantazhi ynë më i madh që në fillim ishte që e merrnim lajmin dhe e çonim deri në fund. Merreshim çdo ditë me çështje, personazhe dhe probleme deri sa e zgjidhnim. Kjo ishte edhe ajo që kërkonte Dritani prej nesh, kërkonte të thyenim barrierat e autocensurës së vjetër të lajmit. Më pas, ishte profesionalizmi ai që vinte kufijtë”.

Duke u zhytur në kujtime, Llanaj kujton: “Të parën kronikë e bëra unë, por i gjithë stafi ishte aty. Ky ishte avantazhi ynëi i dytë. Të gjithë bashkëpunimim me njëri-tjetrin. Nuk kishte rëndësi se çfarë mbulonte një gazetar, pasi e furnizonim dhe ndihmonim njëri-tjetrin pavarësisht asaj që mbulonim. “Top-Channel” ishte edhe i pari televizion që krijoi një informacion i dedikuar tërësisht ekonomisë, duke nisur nga montazhi, spikeri, gazetarët… Madje sot tek kronika është ende zëri i koleges sime të parë, Vlma Baçes, spikere dhe gazetare e lajmeve ekonomike”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA