Mbi 5 mijë persona besohet se janë vrarë gjatë protestave në Siri, ka deklaruar zyrtarja e OKB-së për të drejtat e njeriut.
Navi Pillay tha në një sesion me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit se 14 mijë persona të tjerë dyshohet se janë arrestuar dhe 12.400 janë larguar për në vendet fqinje.
Ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara i ka hedhur poshtë shifrat, duke deklaruar se zonja Pillay nuk është treguar “objektive dhe e sinqertë”.
Të paktën 20 persona humbën jetën në përleshjet e së hënës, deklaruan për mediat ndërkombëtare aktivistët e opozitës në Siri.
Pavarësisht dhunës, në vend u mbajtën zgjedhjet lokale, por pjesëmarrja raportohet të ketë qenë tepër e ulët.
Autoritetet deklaruan se procesi i votimit ka qenë më i lirë se në vitet e tjera, por opozita bëri thirrje për bojkot dhe nisi një grevë të përgjithshme.
Agjencia shtetërore e lajmeve njoftoi se turma të shumta njerëzish ishin mbledhur në qendrat e votimit. Por në bastionet e opozitës, aktivistët thanë se sinjalet që zgjedhjet po zhvilloheshin ishin të pakëta dhe se sipas tyre askush nuk po merrte pjesë në proces.
Navi Pillay e vlerësoi situatën në Siri si “të patolerueshme” dhe deklaroi se janë kryer krime kundër njerëzimit. Ajo shtoi se vlerësimi prej 5 mijë viktimash nuk përfshin forcat e sigurisë. Qeveria siriane ka deklaruar se mbi 1 mijë trupa policore dhe ushtarake janë vrarë.
Top Channel