Qindra protestues anti-Wall Street kanë bllokuar hyrjet dhe kanë vonuar hyrjen e kamionëve në tre porte të Bregut Perëndimor të Shteteve të Bashkuara.
Portet e bllokuara janë ai në Kaliforni, Oregon dhe Uashington, si pasojë e arrestimeve nga policia të shumë protestuesve, të cilat gjithësesi nuk u shoqëruan me konfrontime.
Që prej së hënës aktivistët u vendosën para hyrjeve, u ranë daulleve dhe mbajtën parulla të tipit “Mbyllni Wall Streeet Buzë Detit”.
Manifestimet vijnë një muaj pasi policia cmontoi kampet e “pushtuesve” të ngritura në qytetet kryesore të Shteteve të Bashkuara.
Protestuesit thanë se shpresonin që me bllokimin e porteve të dëmtonin fitimet e korporatave. Në Oakland të Kalifornisë janë mbyllur dy terminale.
Scott Olsen, një veteran i marinës që mbeti i plagosur gjatë një përplasjeje mes policisë dhe “pushtuesve” në tetor, u bashkua me rreth 1 mijë persona që marshonin drejt portit të qytetit ditën e hënë.
Në portin Long Beach, në afërsi të Los Anxhelosit, rreth 300 manifestues u mblodhën në një terminal të tij dhe u kacafytën me forcat e policisë.
Dy terminale u bllokuan gjithashtu në Portland dhe Oregon, ku dy persona që mbanin një armë dhe një shpatë u arrestuan. Zëdhënësi i “pushtuesve” deklaroi se personat e arrestuar nuk ishin pjesë e manifestimeve.
Punëtorët në Portland dhe në portin Longview, në Uashington, u dërguan në shtëpi për shkak të shqetësimit mbi gjendjen shëndetësore dhe sigurinë e tyre.
Sindikata e punëtorëve të porteve nuk e mbështeti zyrtarisht protestën, por punëtorët u lejuan të ndërprisnin punën nëse ndjenin se kushtet e tyre nuk ishin të sigurta.
Top Channel