Fatos Nano: Dua të jem president

11/12/2011 00:00

Në një intervistë për Top Channel nga Londra ish-kryetari socialist, Fatos Nano konfirmon dëshirën e tij për t’u zgjedhur President i Shqipërisë. Ai thotë se po kërkon partnerë nga të dyja krahët politikë, si dhe do normalitet me Partinë Socialiste. Ish–Kryetari i PS, komentoi më tej edhe zhvillimet politike në Shqipëri. Ai flet për mos marjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, rolin e qeverisë dhe opozitës në këtë proces, si dhe për marrëdhëniet e tij me PS. Zoti Nano ndodhet në Londër me ftesë të Institutit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës, ku ka folur për Shqipërinë.

Top Channel:  Z.Nano mirësevini sërish eksluzivisht pas disa vitesh në Top Channel dhe kam përshtypjen se kohët e fundit jeni disi i tërhequr nga politika aktive. Është e vërtetë kjo apo është thjesht një parapërgatitje për ndoshta një hap tjetër më të madh?

Fatos Nano: Mirë se ju gjej dhe besoj se ka një domethënie të njohur edhe për publikun që Top-Channel dhe z.Nano takohen në Londër. Më lejoni të them që është e lehtë të jesh i pranishëm në konfliktet e politikës shqiptare. Është e vështirë të tërhiqesh në distancën e duhur për të nxitur palët në konflikt, që të qetësohen, të gjejnë dhe rivendosin urat e komunikimit. Unë jam në Londër me ftesë të Instituitit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës (London School of Economics, LSE) për të folur për Shqipërinë, për të paraqitur vendin tim. Është e dobishme që të gjithë, të tërhequr ose jo, ta ndihmojnë Shqipërinë të prezantohet, të njihet, të bëhet tërheqëse dhe të gjejë sa më shumë partnerë në një moment kyc të rrugës së saj drejt Evropës së Bashkuar, kur edhe Evropa ka problemet e saj.

Top Channel: Z.Nano, kam  përshtypjen se kohët e fundit keni një fjalor disi të kujdesshëm, shumë asnjanës, si një president në pritje. A e keni vendosur, do të kandidoni për postin e Presidentit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm?

Fatos Nano: Unë dhe oferta që ju e shprehet në mënyrën tuaj profesionale jemi aty, me angazhimin dobiprurës për më shumë inciativa dhe hapësirë bipartizane ose jopartizane, në politikën shqiptare dhe në komunikimin e saj me familjen evropiane, për të bërë të kundërtën  e asaj që ka ndodhur për fat të keq, dy vitet e fundit, kur dhe kampet e majta dhe të djathta të Parlamentit Evropian, nisen të mbrojnë lojtarët respektivë, anëtarët përkatës të familjeve në debatin dhe konfliktin që solli ngërcin e njohur, që bllokoi dy herë rresht kërkesën e Shqipërisë, për t’u futur në rrugën e antarësimit të plotë. Dhe jam shumë i vëmendshëm, për të gjetur partnerët, në të dy kampet, që më në fund do ta bënin të qëndrueshëm prirjen që po shfaqet muajt e fundit, për të konkuruar me njëri-tjetrin, pa shkatërruar axhendën kombëtare të integrimit.

Top Channel: Z. Nano, Shqipëria sërish edhe në samitin e fundit në Bruksel,  nuk pati ndonjë zhvillim në kuadrin e integrimit në Bashkimin Evropian. Kryeministri Berisha thotë se fajin e ka opozita. Ju jeni në të njëjtën gjatësi vale me atë që thotë z.Berisha se fajin më shumë e ka opozita?

Fatos Nano:  Unë besoj se jemi shumë vonë për të gjetur fajin. Unë besoj se secila palë e di përgjegjësinë e saj, dhe unë jam i bindur që asnjëra nga palët, nuk mund ta kryejë vetëm detyrën kombëtare të integrimit.

Top Channel: Kush  ka më shumë faj nga të dyja palët z. Nano?

Fatos Nano: Ky nuk mund të jetë një terren konkurimi negativ. Pra, të dyja palët kanë potencialet, eksperiencën, përfaqësuesit e duhur dhe të pazëvendësueshëm. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri. Pak a shumë, elektorati është i ndarë përgjysëm, dhe Shqipëria nuk mund të hyjë me gjysma, as për shkak apo për faj të gjysmës së saj në Europë. Duhet të gjithë të vendosin duart, në formën që edhe fëmijët mbajnë njëri-tjetrin, që Shqipëria të mos humbë, në mjedisin e ngarkuar më shumë probleme që edhe ka edhe Bashkimi Evropian sot.

Top Channel: Z. Nano, si i keni marrëdheniet me gjysmën tuaj politike, me Partinë Socialiste dhe me z. Rama, të përkeqësuara, inegzistente apo irelevante?

Fatos Nano: Kjo është njohur. Unë nuk mund t’i shtoj ndonjë gjë të vecantë. Nuk bëhet fjalë për një reagim personal, ndaj një investimi  shumëvjecar që është i pranishëm në reformimin dhe në sjelljen e së majtës në qeverisjen me rekordet përkatëse dhe në aftësitë konkuruese, që ajo ka shfaqur në politikën shqiptare. Besoj se është e mundur që të rivendosen të gjitha marrëdhëniet që bëjnë të mundur, jo vetëm riaktivizimin e vlerave konkuruese të së majtës në Shqipëri, por edhe kontributete e saj kombëtare në bashkëpunim me faktorë të tjerë të moderuar të politikës shqiptare, që do të përshpejtonin procesin e integrimit.

Top Channel: Z.Nano ka shumë shikues të cilët mund ta shikojnë këtë intervistë dhe që thonë përsëri klasa e vjetër politike do të na drejtojë ne, edhe pas 20 vjet e ca pluralizëm. Ju si do u përgjigjeshit këtyre njerëzve që e kanë këtë lloj shqetësimi, pasi kam përshtypjen dhe ju ndoshta mund të më ndihmoni, se besoj se nuk ka ndonjë vend në Evropën Lindore, që ata drejtues që e filluan procesin e demokracisë të vazhdojnë të jenë sot e kësaj dite në pushtet ose të aspirojnë sic po aspironi edhe ju?

Fatos Nano: Nuk besoj se kjo mund të trajtohet në mënyrë kinematografike. Madje edhe në produksionet e Hollivudit, vlerësohen më shumë aktorët me eksperiencë, të cilët vërtet tërheqin publikun. Besoj se këtë e vendos vota, e vendos një publik i informuar dhe i vëmendshëm ndaj eksperiencës dhe ideve që cojnë vendin përpara. Dhe sidoqoftë le ta konsiderojmë si një shenjë vitaliteti, që Shqipëria vazhdon të përtërihet, duke siguruar një komunikim jo të keq midis brezave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA