Mijëra persona kanë marrë pjesë në protestën më të madhe kundër qeverisë të zhvilluar në Rusi që nga koha e rrëzimit të Bashkimit Sovietik.
Rreth 50 mijë persona janë mbledhur në një zonë në afërsi të Kremlinit për të dënuar mashtrimin elektoral në zgjedhjet parlamentare dhe për të kërkuar përsëritjen e tyre.
Manifestime të tjera, por më të vogla, janë zhvilluar edhe në qytete të tjera si për shembull në Shën Pietërburg. Komunistë, nacionalistë dhe pro-perëndimorë u mblodhën së bashku, pavarësisht ndarjeve politike.
Protestuesit pretendojnë se ka pasur shkelje të mëdha në zgjedhjet e së dielës, ku partia në pushtet Rusia e Bashkuar fitoi me një rënie drastike të elektoratit të saj.
Protestat e zhvilluara menjëherë pas zgjedhjeve u shoqëruan me mbi 1 mijë të arrestuar, shumica e të cilëve në Moskë. Mes tyre kishte edhe figura të rëndësishme si tribuni i luftës kundër korrupsionit, Alexei Navalny, i cili ndodhet në burgim.
Kryeministri Vladimir Putin nuk është përballur kurrë më parë me protesta kaq të mëdha, deklaron korrespondenti i BBC në Moskë, Steve Rosenberg.
Gjatë dekadës së tij në pushtet, fillimisht si president dhe më pas si kryeministër, ai është konsideruar si politikani më popullor dhe më i pushtetshëm në Rusi.
Por, sic ka thënë një protestues për rrjetin informativ britanik, Rusia tani ka hyrë në rrugën e ndryshimit dhe Putin nuk është më një figurë e përshtatshme për vendin.
Pak ditë më parë, Putin akuzoi Shtetet e Bashkuara si orkestruese të protestave post-zgjedhore në Rusi, duke e vënë theksin tek një deklaratë e sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.
Gjithashtu, ai refuzoi të pranonte se partia e tij ishte më e humbura nga zgjedhjet e ditës së dielë dhe i cilësoi si të zakonshme luhatjet në votime.
Ndërsa ish-presidenti sovjetik, Mikail Gorbachev, iu bashkua kritikëve të zgjedhjeve parlamentare në Rusi, duke thënë se votimet e së dielës u karakterizuan nga manipulime të mëdha.
Top Channel