AK denoncon policinë Maqedonase

10/12/2011 00:00

Aleanca Kuqezi reagoi të shtunën kundër policisë maqedonase, e cila në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës ndaloi një aktiviste të kësaj organizate.

Aktivistja është një shtetase rumune me kombësi shqiptare, e cila është mbajtur e izoluar për 5 orë.

“Ajo është ndaluar dhe është pyetur për lidhjet e saj me Aleancën Kuqezi dhe kryetarin e saj, zotin Kreshnik Spahiu. Ajo është privuar nga e drejta ligjore për të kontaktuar ambasadën e vendit të vetë, duke u bërë objekt i një presioni psikologjik dhe një trajtimi aspak human, që bie ndesh me vlerat e BE ku Maqedonia synon të anëtarësohet”, denoncoi Redi Ramaj, drejtor ekzekutiv i AK.

“Aleanca i bën thirrje qeverisë maqedonase të ndalë vargun e veprimeve të patolerueshme drejtuar shqiptarëve dhe aktivistëve të Aleancës Kuqezi”, shtoi Ramaj.

Kjo nuk është hera e parë që policia maqedonase arreston aktivistët e Aleancës Kuqezi. Ditën e Pavarësisë, më 28 Nëntor, ajo arrestoi katër anëtarë të Aleancës në Tetovë, për shkak se vizatuan grafite me flamuj kuqezi dhe hartën e Shqipërisë Entike.

Edhe aktivistët në fjalë, të cilët u liruan një ditë më vonë, deklaruan se gjatë qëndrimit në polici ishin pyetur më shumë për kryetarin e AK, zotin Kreshnik Spahiu.

Së fundmi, dega e Aleancës Kuqezi në Maqedoni kundërshtoi marrëveshjen policore mes Shkupit dhe Beogradit, që parashikon praninë dhe patrullimin e policisë serbe në zonat me shumicë shqiptare në Maqedoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA