Zyra e OKB-së për Somalinë do të spostohet nga Nairobi në Mogadishu, ka njoftuar sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon gjatë një vizite të rrallë në kryeqytetin somalez.
Shefi i Pallatit të Qelqtë është i pari zyrtar i lartë i huaj që viziton vendin e shkatërruar nga lufta disavjecare. Ai mbante të veshur një jelek anti-plumb teksa u prit në aeroport nga kryeministri zomalez.
Militantët islamikë po luftojnë me forcat ushtarake qeveritare, të mbështetura nga OKB dhe trupat e Unionit Afrikan.
Somalia është përfshirë nga lufta e ashpër që zgjat prej dy dekadash dhe nuk ka pasur një qeveri funksionale që prej vitit 1991.
Vizita e Ki Moon vjen një ditë pas disa përleshjeve që u regjistruan brenda dhe jashtë kryeqytetit, që ishin dhe më të ashprat e muajve të fundit.
Të gjitha rrugët kryesore në qytet ishin të mbyllura dhe fluturimet në Mogadishu ishin pezulluar për arsye sigurie.
Ki Moon diskutoi për situatën politike në Somali, si dhe për krizën e urisë që është shpallur në disa zona jugore të vendit, për shkak të thatësirës.
Sipas mediave ndërkombëtare, sekretari i përgjithshëm kaloi në rrugët e shkreta të qytetit deri në pallatin presidencial, i shoqëruar nga një autokolonë makinash të blinduara dhe personeli të armatosur.
Grupi militant Al Shabab deklaroi në Gusht se po tërhiqej nga Mogadishu, por pavarësisht kësaj atje janë kryer një seri atentatesh dhe vizita e Ki Moon u mbajt sekret deri në mbërritjen e tij.
Grupi në fjalë njoftoi të premten se ka krijuar një profil në rrjetin shoqëror “Twitter”, me bindjen se ai do t’i ndihmojë në luftën e tyre të armatosur për të kontrolluar Somalinë.
Top Channel