Kujtohet në Tiranë Dita Kombëtare e Rinisë

08/12/2011 00:00

Përkujtimi i lëvizjeve studentore të 8 Dhjetorit 1990, të cilat sollën dhe ndryshimin e sistemit, është kthyer në një ditë vlerësimi për rininë dhe rolin e saj në zhvillimin e kombit.

Në Pallatin e Kongreseve, Këshilli Rinor Shqiptar dhe Ministria e Kulturës mblodhën së bashku të rinjtë në një aktivitet kushtuar kësaj dite.

“Ka pak ditë të cilat të jenë dhe të kenë peshën e kësaj dite. Nuk është vetëm Dita e Rinisë, është dita e lirisë, dita e pluralizmit, dita e një rilindje të madhe të këtij kombi. 8 Dhjetori simbolizion një moment shumë të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare”, deklaroi Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.

Ndër të ftuarit ishte edhe Shefi i Sektorit Politik të BE-së në Shqipëri.

“Është provuar dhe vazhdon të provohet në botë se asgjë e madhe nuk mund të realizohet pa kontributin e të rinjve. Pa rininë ne mbetemi në stanjacion, por duke patur parasysh edhe përqindjen që përbën rinia është e pamundur që shoqëria shqiptare të mbetet në stanjacion”, tha Clive Rumbold, shef i Sektorit Politik të BE-së në Shqipëri.

Pjesë e aktivitetit, ishte edhe  një ekspozitë me fotografi, kushtuar ndikimit pozitiv të rinisë, në kohën e ndryshimeve dhe sot.

Në kuadër të festimeve edhe organizata joqeveritare  “Rinia Aktive”, ka vendosur disa tenda në një nga rrugët e kryeqytetit për të promovuar fushatën e tyre “Kontribuo dhe ti”. Kjo fushatë e cila po zhvillohet prej një viti, ka si qëllim mbledhjen e fondeve në ndihmë të personave dhe komuniteteve në nevojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB