SHBA, 14 vjet burg ish-guvernatorit

07/12/2011 21:40

Ish-guvernatori i Ilinoisit, Rod Blagojevich u dënua me 14 vjet burgim nga një gjykatë amerikane pasi u shpall fajtor për 17 akuza të ngritura kundër tij, që kishin të bënin kryesisht me korrupsionin.

Blagojevich, 54 vjec, u shpall fajtor në qershor të këtij viti. Ai apeloi vendimin e gjykatës, por edhe në apel ai e humbi betejën duke u shpallur fajtor për akuzën e korrupsionit, ku përfshihej edhe përpjekja për të shitur vendin e lënë bosh në Senatin amerikan pas zgjedhjes së Barack Obama-s në krye të Shtëpisë së Bardhë. Obama ishte senator i Ilinoisit në Kongresin Amerikan.

Vetë Blagojevich pranoi fajësinë duke u shprehur se i vinte keq për të gjitha “veprimet e tmerrshme të tij”. Prokurorët kërkuan dënimin e tij me 20 vjet burgim, dënimi maksimal që parashikojnë ligjet amerikane për akuza të tilla.

Ish-guvernatori demokrat i Ilinoisit, u arrestua në dhjetor të vitit 2008 kur ishte në gjysmën e mandatit të tij të dytë në këtë post. Edhe paraardhësi i tij republikan në këtë post, George Ryan gjithashtu vuan dënimin po për akuzën e korrupsionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA