Të paktën 58 persona u vranë pas dy sulmeve, të njëpasnjëshme në Afganistan, në shenjestër të të cilave ishin myslimanët shi’itë.
Një kamikaze hodhi vetën në erë në një vend të shenjtë, i tejmbushur nga besimtarët, në kryeqytetin Kabul. Të paktën 54 persona u vranë ndërsa 150 të tjerë mbetën të plagosur. Mes viktimave kishte dhe fëmijë.
Një bombë e vendosur në një bicikletë shpërtheu në të njëjtën kohë në qytetin verior Mazar-i-Sharif, ku mbetën të vrarë katër persona dhe 17 u plagosën.
Sulmet janë të një natyrë sektariane, të paprecedentë në historinë e viteve të fundit në Afganistan dhe përkojnë me Ditën e Ashures, një prej më të rëndësishmeve në kalendarin shi’it.
Duke folur në një konferencë të përbashket për shtyp, me kancelaren gjermane Angela Merkel në Berlin, presidenti afgan Hamid Karzai dënoi sulmet.
“Është hera e parë që në një ditë të rëndësishme fetare në Afganistan ndodh një terrorizëm i kësaj natyre. Dëshirojmë më të mirën për të plagosurit, shërim të shpejtë dhe durim për familjet që humbën të dashurit e tyre”, deklaroi Hamid Krazai.
Shtetet e Bashkuara dënuan sulmet dhe nënvizuan se vazhdojnë t’i qëndrojnë në krah popullit afgan.
Pavarësisht tensioneve që ekzistojnë mes sunitëve dhe pakicës Shiite në Afganistan, shumica e sulmeve, këto vitet e fundit kanë vënë në shenjestër qeveritarë dhe trupa ndërkombëtare.
Deri tani askush nuk ka marrë përsiper sulmet. Përmes një deklarate, talebanët thanë se grupi militant nuk kishte lidhje me ngjarjet.
Sulmet vijnë një ditë pas konferencës ndërkombëtare për të ardhmen e Afganistanit, që u zhvillua në Bon të Gjermanisë.
Pakistani e bojkotoi konferencën, pasi NATO sulmoi 24 ushtarë pakistanezë në pikën kufitare në afërsi të Afganistanit, muajin e kaluar.
Top Channel