Kolumbi, protestë madhore kundër “FARC”

07/12/2011 20:20

Me dhjetëra mijëra kolumbianë u bashkuan për të protestuar kundër grupit guerrillas të ekstremit të majtë, “FARC”.

Të veshur me bluza të bardha, protestuesit kërkuan të mërkurën lirimin e pengjeve, disa prej të cilave mbahen prej grupimit prej më shumë se një dekade. Gjithashtu, protestuesit shprehën indinjatë për vrasjen e katër personave prej rebelëve markistë, në muajin nëntor.

Në përgjigje të presionit popullor, “FARC” informoi se do të lirojë disa prej personave që mban kundër vullnetit të tyre. Megjithatë, nuk u premtua asnjë afat se kur kjo do të ndodhë.

Kryeqyteti Bogota, Kali, Medelin dhe qytete të tjera të mëdha kolumbiane janë shndërruar prej kohësh në arena protestash ndaj rebelëve që terrorizojnë vendin që prej fillimit të viteve 1960.

Presidenti i vendit, Juan Santos, theksoi se: “Nuk është qeveria ajo që kërkon paqe, por zëri i miliona kolumbianëve të lodhur nga një luftë e përgjakshme dhe e pakuptimtë”.

Më parë, Santos ka përsëritur disa herë se është i gatshëm të nisë bisedimet e paqes, nëse rebelët pranojnë të heqin dorë nga sulmet, pengmarrjet dhe bien dakord të çarmatosen.

”FARC” mban peng 10 antarë të forcave të sigurisë si dhe disa qindra qytetarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA