Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, vendosi nën presion Pakistanin, duke kërkuar nga vendi fqinj që të ndihmojë në hetimin e sulmit kamikaz, që i mori jetën 58 besimtarëve shiit ditën e martë.
Një grup militant në Pakistan pranoi përgjegjësinë për atentatin e ndodhur në ditën e shenjtë të shiitëve, atë të Ashures.
”Për të vrarë fëmijë në një ditë të shenjtë si ajo e Ashurës duhet të jesh një armik i njerëzimit. Të vrasësh muslimanë në këtë ditë do të thotë të jesh armik i islamit”, deklaroi Karzai, ndërsa e cilësoi masakrën si “unike” në historinë e Afganistanit.
”Lashkar e-Jangvi pranoi përgjegjësinë për sulmin. Ne do të përpiqemi me të gjithë mjetet tona që t’i ndëshkojmë për këtë, por fatkeqësisht, mund të bëjmë pak pa ndihmën e Pakistanit. Ata duhet të angazhohen dhe të çrrënjosin këtë grup militant nga vendi i tyre”, theksoi presidenti.
Pavarësisht se shpërthimet kamikaze janë një ngjarje e njohur në Afganistan, përmasat e dhunës ndërfetare kanë qenë shumë më të vogla se sa në Irakun fqinj.
Karzai, i cili anulloi një vizitë shtetërore në Britani për shkak të ngjarjeve, dënoi gjithashtu një atentat të ndodhur të mërkurën në provincën e Helmandit, ku 19 persona humbën jetën, pasi autobuzi i tyre shkeli në një minë të vendosur në rrugë.
Top Channel