Ish-Presidenti i Izraelit në burg: Jam i pafajshëm

07/12/2011 21:20

Ish-Presidenti i Izraelit, Moshe Katsav, përsëriti edhe një herë se është i pafajshëm, ndërsa nisi ditën e mërkurë burgimin e tij 7-vjeçar për përdhunim.

66-vjeçari u shpall fajtor nga një gjykatë në Tel Aviv në dhjetor 2010, ndërsa disa ditë më parë, u rrëzua edhe apeli i fundit i lejuar me ligj. Katsavi u la në gjendje të lirë, për shkak të profilit të tij të lartë social dhe u ra dakord që ai të paraqitej vullnetarisht në burg ditën e mërkurë.

Gjatë procesit, katër femra, midis të cilave dy punonjëse, e akuzuan për ngacmime dhe abuzim seksual në periudhën kur ai ishte ministër dhe më pas president, në vitet 2000-2007.

Në një deklaratë të shkurtër përpara hyrjes në burg, ai akuzoi autoritetet për shpërfilljen e disa provave të qarta, që mund ta kishin shfajësuar. Megjithatë, ai shprehu besimin se “e vërteta do të dalë në dritë dhe bashkë me të, edhe figura ime do të marrë vendin që meriton në histori. Më vjen keq vetëm që shteti i Izraelit, po burgos sot një njeri mbi bazën e përshtypjeve dhe jo provave të vërteta”, tha Katsev.

Përshëndetja e tij e fundit me familjarët dhe hyrja në burgun e Masijahut, ku do të kryejë dënimin së bashku me të dënuar të tjerë të zakonshëm, u transmetua drejtëpërsëdrejti nga një televizion kombëtar.

Në mungesë të të dhënave shkencore, prokurorët e bazuan pothuajse tërësisht procesin e tyre vetëm mbi dëshmitë e paraqitura. Sipas ekspertëve, ishin ngjashmëritë e raportuara nga viktimat e supozuara të sulmeve të tij, ato që krijuan bindjen e fajësisë. Dëshmitë u morën nga policia në një periudhë kur gratë nuk njiheshin dhe nuk mund të kishin rënë dakord të dëshmonin në një mënyrë të caktuar.

Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm shprehu keqardhje që i duhet të shohë burgimin e një figure që “ka dhënë shumë për Izraelin”, por theksoi se në vendin e tij, ligji është përmbi edhe funksionarët më të lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA