Vijojnë protestat anti-Putin në Moskë

06/12/2011 00:00

Pavarësisht ndalimit të mitingjeve nga policia ruse, qindra persona që kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare u përballen me përkrahësit e partisë “Rusia e Bashkuar” në Moskë.

Policët arrestuan disa prej protestuesve, përfshirë edhe politikanin liberal, Boris Nemtsov.

Pamjet nga Sheshi i Triumfit në Moskë, një nga arteriet kryesore në afërsi të Kremlinit, treguan përballjen mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të Putinit. Filmimet e transmetuara në faqen e internetit “Ridus” dëshmojnë ndërhyrjen e forcave të rendit.

Të hënë, në Rusi u zhvilluan protestat me të mëdha ndër vite, kundër vjedhjes së votave në zgjedhjet parlamentare. Të paktën 300 persona u arrestuan, mes të cilëve edhe blogeri i njohur, Aleksei Navalni dhe lideri i partisë “Solidariteti” Ilia Jashin. Arrestimi i tyre është përmendur në shumë mesazhe, në rrjetin social Twitter.

Vëzhguesit e OSBE-se thanë se zgjedhjet shkuan në favor të partisë “Rusia e Bashkuar”. Vladimir Putin e minimizoi humbjen nga partia e tij “Rusia e Bashkuar” që mori nën 50 % të votave krahasuar me 64 % në vitin 2007.

Analistët e shohin rezultatin si një rënie të popullaritetit të Putinit, përpara zgjedhjeve presidenciale të muajit mars.

BE: Zgjedhjet në Rusi, jo të lira

Bashkimi Europian ka shprehur “shqetësimin e thellë” lidhur me gjithë procesin zgjedhor në Rusi dhe me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me arrestimin e dhjetra mbështetësve të opozitës në “Sheshin e Triumfit” në Moskë.

“Jemi të shqetësuar në lidhje me shkeljet e rënda të procedurave, mungesën e barazisë mediatike dhe mungesën e ndarjes së shtetit nga partia”, thuhet në një deklaratë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Pres që tani e tutje, thotë Ashton, autoritetet ruse të ndërmarrin masat dhe reformat e nevojshme për të siguruar një process zgjedhor të barabartë dhe transparent në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Franca: Të shqetësuar për arrestimet

Franca ka shprehur shqetësimin lidhur me situatën në Rusi dhe arrestimin e dhjetra manifestuesve.

“Arrestimi i manifestuesve që u raportuan ditën e djeshme dhe sot në Moskë, nga ana e forcave të sigurisë është shqetësues”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze, Bernard Valero.

Më tej thuhet në komunikatë se Parisi vlerëson si tejet të rëndësishme respektimin e të drejtave të njeriut dhe sidomos të drejtën e tubimit dhe manifestimit paqësor.

Top Channel