SHBA, të shqetësuara për dronin në Iran

06/12/2011 10:55

Autoritetet amerikane kanë shprehur shqetësimin e tyre për humbjen e një avioni të telekomanduar në afërsi të kufirit lindor të Iranit.

Një zëdhënës i Pentagonit deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara në vecanti sepse avioni ndodhej në një vend ku amerikanët nuk ishin në gjendje ta kontrollonin.

Mediat iraniane deklaruan se droni u qëllua dhe u rrëzua dhe se tani ndodhej në duart e forcave të armatosura.

Thuhet se objekti ka pësuar dëme minimale. Droni, i njohur ndryshe si “Gardiani”, është i pari që u humbet trupave të Shteteve të Bashkuara.

Kapiteni i marinës amerikane John Kirby deklaroi se SHBA janë të shqetësuara për mundësinë e Teheranit për të marrë informacion mbi teknologjinë e avionëve.

“Mendoj se ne gjithmonë jemi të shqetësuar kur bëhet fjalë për një avion që humbasim, me pilot apo pa pilot, sidomos në një vend ku nuk kemi mundësi ta marrim sërish”, deklaroi kapiteni.

NBC News raportoi se avioni po zhvillonte një mision të drejtuar nga CIA, por nuk është e qartë nëse po fluturonte në Afganistan, apo në Iran.

Disa analistë argumentojnë se trupat ushtarake iraniane nuk do të jenë në gjendje të kopiojnë teknologjinë edhe nëse kanë gjetur pjesë të nevojshme të objektit.

“Bëhet fjalë për një avion pa pilot që nuk funksionoi mirë dhe u rrëzua në tokë. Ka gjasa që ai të jetë bërë copash”, ka deklaruar analisti i cështjeve të mbrojtjes, Loren Thompson për Associated Press.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA