Tirana është zbukuruar për festa. Kanë nisur këngët e Krishtlindjeve, dyqanet po dekorohen dhe atmosfera e festave të fundvitit ndihet gjithandej.

Është bukur të jetosh në Tiranë në ditë festash. Në fakt, një pjesë e mirë e njerëzve duan të jetojnë në kryeqytet. Është kthyer ky vend si një Shqipëri e vogël, ku kanë ardhur banorë nga të gjitha rrethet. Aq shumë përqendrohemi në media tek ngjarjet këtu sa shpesh harrojmë se ç’ndodh përtej Tiranës.

Kujtohemi kur flasim për turizëm apo kur ka ngjarje të kronikës së zezë. Shumë prej nesh të rritur këtu e kanë të vështirë të imagjinojnë se si do të ishte jeta në një provincë të vogël pa ish-Bllokun, pa diskotekat, pa dritat e pemët e Krishtlindjeve, pa rrugë të tëra shopingu e qendra tregtare.

Anila Basha, drejtore e gazetës “Shqiptarja”, gazetare e njohur e cila ka sfiduar shumë kolegë në Tiranë në profesion është nga qyteti i Lushnjes dhe gazetarja Gerta Gixhari e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’ ka shkuar në shtëpinë e prindërve të Anilës, të cilët jetojnë ende në Lushnje.

“Anila asnjëherë nuk ka pasur konflikte me ne gjatë kohës së gjimnazit. Gjithmonë e kemi mirëkuptuar. Në atë periudhë ka pasur fanatizëm, por ne si prindër i kemi lënë gjithmonë liri veprimi”, shprehet babai i gazetares.

“Ka pasur raste që unë kisha merak sepse edhe periudha e atëhershme ka qenë ndryshe. Gjithsesi, ne e lejonim që të aktivizohej me shkollën sepse edhe unë vetë aktivizohesha me mbledhjet e asaj kohe. Recitonte dhe shkruante, ka qenë shumë e shkathët”, shton nëna.

Të krijohet përshtypja se në Kavajë femrat rrinë vetëm në shtëpi, por një autobus i mbushur me studente niset çdo ditë për në Durrës. Është një përpjekje e këtyre femrave për arsimim dhe për dalje nga qyteti i tyre për një jetë më të mirë.

“Është shtuar shumë numri i vajzave që vazhdojnë shkollën e lartë. Pothuajse të gjitha maturantet janë në universitete shtetërore apo private”, shprehet një student kavajase.

“Femrat paragjykohen jo vetëm në Kavajë, por në të gjithë Shqipërinë. Kavaja është pak fanatike, por mua më pëlqen sepse nuk është e zhurmshme dhe bëhet një jetesë normale. Përsa i përket takimit me djem, vajzat e fejuara dalin hapur, ndërsa ato që takojnë të dashurit gjejnë mënyra për tu frekuentuar”, shprehet një student tjetër.

Në parukeri mund të shihet më mirë se sa kujdesen femrat kavajase për veten.

“Vijnë më shumë për festa, nuk rregullohen përditë. Në gusht kur janë fejesat dhe dasmat dhe në festat e fundvitit kanë punë parukeritë. Para pesë vitesh ka pasur shumë nuse 14, 15 apo 16 vjeç, por tani ka ndryshuar kjo gjë dhe nuset janë pothuajse të gjitha mbi 18 vjeç sepse vazhdojnë shkollën”, tregon një parukiere.

Në Kavajë, pak metra nga qendra e qytetit ndodhet një lokal që frekuentohet nga të rinjtë e dashuruar, të cilët takohen larg syve të njerëzve dhe prindërve.

“Me të dashurën takohem gjatë orarit të shkollës dhe jo në Kavajë, por në Durrës”, thekson një djalë kavajas.

“Normalisht që me të dashurën takohem fshehurazi dhe zgjedhim lokale të tjera, jo aty ku rrimë me shoqërinë. Kemi edhe probleme të tilla si ‘më pa babai, vëllai…”. Këto janë normale sepse njerëzit e vajzës kanë më shumë merak”, thekson një i ri tjetër.

E njëjta situatë edhe në Lezhë, ku mentaliteti ndikon shumë tek të rinjtë.

“Mentaliteti i vjetër i prindërve bën që të mos i kuptojnë lidhjet e të rinjve. Lezha është një vend i vogël dhe nuk mund të dalësh lirshëm me të dashurin. Nëse vajzat i sheh vëllai ose një i afërm me dikë bëhet problem në familje. Disko ka, por të rinjtë lezhianë preferojnë të shkojnë një natë në Tiranë e të kënaqen atje se sa të dalin në Lezhë”, shprehet një vajzë.

“Edhe djemtë e rinj janë paragjykues sepse rrinë me të moshuarit dhe marrin po atë mentalitet. Vëllezërit kanë një kontroll shumë të madh mbi motrat dhe nuk e kuptojnë ende se edhe motra ka jetën e saj”, thekson një e re nga ky qytet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA