Parlamentri francez është përfshirë në një debat mbi nxjerrjen jashtë ligjit të prostitucionit, pasi një parti e madhe në opozitë propozoi një ligj që e shndërron në një kundravajtje penale pagesën për marrëdhënie seksuale.
Disa grupime besimtarësh katolikë u grumbulluan të martën përpara “Asamblesë Kombëtare” në Paris, në mbështetje të projektligjit.
Rezoluta kërkon nxjerrjen jashtë ligjit të prostitucionit në një kohë ku gjithmonë e më shumë vende në Europë e kanë liberalizuar këtë krim. Disa deputetë kanë kundërshtuar ligjin, duke cituar të drejtat e prostitutave, të pranuar me ligj si profesion në shumë vende të tjera të Bashkimit Europian.
Rreth 20 mijë vajza dhe gra jetojnë në Francë duke ushtruar këtë profesion. “Kriminalizimi i klientëve është mënyra më e mirë për të reduktuar prostitucionin në Francë, pasi diçka e tillë është provuar edhe në vendet e tjera që kanë vepruar në të njëjtën mënyrë”, argumentoi komisioni.
Në vitin 1999, Suedia ishte vendi i parë që propozoi këtë ligj “të çuditshëm”, i cili dërgon përgjegjësinë penale tek klientët që paguajnë për marrëdhëniet seksuale.
Në bazë të legjislacionit aktual francez, prostitucioni është i dënueshëm vetëm kur bie ndesh me moralin publik dhe dëmton interesin e përgjithshëm. Praktikisht, ai lejohet gjerësisht nëpër shtëpinë publike anembanë Francës, por ndalohet të ushtrohet në sytë e publikut.
Top Channel