Franca-Gjermania, të bashkuar për reforma

06/12/2011 15:30

Franca dhe Gjermania kanë ritheksuar përkushtimin e tyre për të reformuar Eurozonën, pasi agjensia e specializuar e vlerësimeve financiare, “Standard & Poor”, deklaroi se shumica e vendeve të Eurozonës rrezikojnë reduktimin e normës së tyre të kreditimit.

Në një reagim, të dy vendet deklaruan se propozimet për një traktat të ri financiar për Europën, propozuar të hënën, do të shërbejnë për të forcuar ekonominë, qeverisjen e mirë dhe për të rikthyer besimin tek ekonomitë europiane.

”S & P” informoi se gjashtë vendet e Eurozonës që kanë vlerësimin maksimal prej AAA, kanë 50% shanse që të humbin njërin prej A-ve.

Lëvizja e agjensisë së vlerësimit u cilësua befasuese, pasi takimi Merkel-Sarkozy riktheu besimin në tregjet ndërkombëtare dhe shënoi një rritje të menjëhershme në bursat ndërkombëtare.

Sipas ekspertëve, Brukseli pritet të reagojë ashpër për momentin e zgjedhur për publikimin e këtij vlerësimi. Gjatë nëntorit, BE kritikoi ashpër agjensitë “S & P” dhe “Fitch”, duke i kërkuar më shumë “përgjegjshmëri” në vlerësimet e tyre.

Reduktimi i normës së kreditimit e bën automatikisht shumë më të shtrenjtë huamarrjen për secilin vend, pasi është një formë për të vlerësuar rrezikun e kreditimit. Aktualisht, Shqipëria vlerësohet nga “Standard & Poor” me normën B+.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA