Emiri i Kuvajtit, Sheiku Sabah al-Ahmed al-Sabah, lajmëroi të martën shpërndarjen e parlamentit, duke cituar si arsyen kryesore skandalet e korrupsionit, midis disa politikanëve me influencë në vend.
Zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 60 ditësh. Një javë më parë, kabineti qeveritar dha dorëheqjen, pasi Kryeministri Sheikh Nasser al-Mohammed al-Sabah u thirr në prokurori për të dëshmuar rreth skandalit të blerjeve të disa deputetëve nga opozita për të kaluar disa ligje në parlament.
Protestues të shumtë u grumbulluan përballë parlamentit gjatë nëntorit, pasi u tentua që të evitohej përballja e Kryeministrit me drejtësinë, nëpërmjet imunitetit parlamentar.
Sheiku Sahah e cilësoi ngjarjen e korrupsionit si një “ditë të zezë” për vendin e tij, ndërsa premtoi rikthimin e rendit. “Për shkak të rënies së besueshmërisë së kësaj qeverie dhe vështirësive në arritjen e progresve të reja në vend, vendosa se është në interesat më të larta të Kuvajtit të shpërndajë parlamentin dhe të mbajë zgjedhje brenda afateve që njeh kushtetuta”, deklaroi emiri.
Kjo është hera e katërt që prej vitit 2006 që në Kuvajt shpërndahet parlamenti dhe thirret organizimi i zgjedhje të reja presidenciale.
Top Channel