Flakët e shpërthyera nga një bombul gazi në banesën e tyre i morën jetën bashkëshortëve Genc dhe Florida Spahiu, 37 e 35 vjeç, si dhe vajzës së tyre të madhe, Jonës 4-vjeçare.
E vetmja e mbijetuar, edhe ajo në gjendje të rëndë në reanimacion, vajza më e vogël e çiftit, Dea. Ngjarja e tmerrshme që na tronditi të gjithëve këtë fundjavë ndodhi në një pallat të ri në kryeqytet, në orët e para të së dielës.
Ditën e hënë, tre pjestarët e familjes Spahiu, Genci, Florida dhe Jona janë përcjellë për në banesën e fundit, duke lënë pas dhembje dhe misterin e zjarrit që i mori jetën.
“Ishin zhvendosur prej dy vjetësh për të jetuar me qera në këtë banesë. Vetëm kur na morën në orën 1.30 të mëngjesit në telefon, për ta na thënë që kishte rënë zjarr. Jemi shumë të tronditur. Vetëm ata e dinë se çfarë ndodhi në të vërtetë, vetëm ata e kanë marrë me vete këtë mister të madh”, shprehet në lot një prej familjareve.
“Genci kishte një ofiçinë tornoje. Njeri punëtor. Për vete ishte nga Tirana dhe gruan e kishte nga Korça. Të dy kishin dy vajza të mrekullueshme. Vajza e vogël është disi më mirë, por përsëri është duke luftuar për jetën e saj. Shpresojmë tek Zoti. Nuk e mori me të tjerët, shpresojmë në një mrekulli. Lutemi që të shpëtojë, që të paktën të kenë gjyshërit një kujtim nga djali i tyre”, lutet e afërmja me zërin që i dridhet.
Një vazo me një lule në ballkon duket se është e vetmja gjë që i mbijetoi zjarrit. Një bombul gazi ishte shkaku i fatkeqësisë. Përzjerja e gazit me elektricitetin krijoi atë shpërthim dhe flakë që shuajti familjen Spahiu.
Familjarët janë të dërmuar, ndërsa familja e Zotit Spahiu, e cila jeton pikërisht përballë banesës, ka hapur dyert dhe përjeton zinë.
Në vendngjarjen e fatkeqësisë, çdo pllakë duket e shkatërruar, gjithçka ishte vendosur mbi një metër lartësi është shkrumbuar. Teksa në dhomën e gjumit, atje ku u konsumua tragjedia, pozicioni i shtretërve tregon për një përpjekje të fundit të Zotit Spahiu për të mbrojtur dhe shpëtuar të paktën dy vajzat e tij të vogla.
Top Channel