Në ditën e dytë të qëndrimit në Maqedoni, kreu socialist Edi Rama takoi të hënën liderët e partive kryesore të shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmetin e BDI-së dhe Menduh Thacin e PDSH-së.
Rama i ka njoftuar ata se Partia Socialiste planifikon që në të ardhmen të intensifikojë komunikimin me faktorin shqiptarë në rajon.
“Partia Socialiste dhe opozita shqiptare në tërësi e ndjen të domosdoshme të ketë një prani dhe një komunikim më intensiv me të gjithë faktorët shqiptarë në rajon, për të dhënë një mbështetje edhe më të madhe për të gjitha cështjet e hapura dhe për të cuar përpara proceset e integrimit dhe njëkohësisht për të mësuar nga eksperiencat e njëri-tjetrit”, deklaroi Rama.
Në takimet e ndara që u zhvilluan në selitë partiake në Tetovë, Ahmeti dhe Thaci njoftuan Ramën për zhvillimet politike në Maqedoni.
“Kemi folur për situatën piolitike në Maqedoni. E njoftova zotin Rama me proceset në Maqedoni, sidomos në interpretimin autentik për rastet e Hagës si një moment shumë i rëndësishëm dhe rrit besimin mes dy komuniteteve më të mëdha, rregullimin e cështjeve të përdorimit të simboleve kombëtare, si dhe avancimin e gjuhës”, u shpreh Ahmeti.
“Biseduam për mundësinë e avancimit të forcave politike shqiptare drejt një qëllimi madhor që të gjithë ne e kemi integrimin edhe të Maqedonisë në NATO dhe BE. I thash zotit Rama mundohem që të jem konstruktiv si parti por konstruktiviteti dita-ditës zvogëlohet në Maqedoni për shkak të një politike tejet arrogante që ka qeveria e Maqedonisë”, tha më pas Menduh Thaci.
Pas takimeve me liderët shqiptarë, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama promovoi librin e tij “Kurban” para sutdentëve të Universitetit Shtetëtor të Tetovës.
Një ditë më parë Rama ishte në Shkup, ku përvecse promovoi librin e tij, kritikoi me nota të ashpra arrestimin e disa të rinjve shqiptarë që vizatuan hartën e Shqipërisë etnike.
Top Channel