Yjet e boksit në spital

03/12/2011 00:00

Yjet e boksit botëror duket se nuk ia kanë kaluar mirë kohët e fundit,
psai kohën më të madhe e kanë kaluar në spital ose në qendra rekuperimi.

Kështu, muajin e kaluar legjenda Muhammad Ali u shtrua në një spital të Arizonës, vetëm pak ditë pas vdekjes së Joe Frazier në Filadelfia.

Lajmin e bën të ditur “Louisville Courier”, e përditshmja e qytetit të lindjes së tre herë kampionit të botës për peshat e rënda.

Sipas John Ramsey, mik i Ali, bashkëshortja Yolanda thirri një ambulancë për ta transportuar legjendën me urgjencë në spital.

Aktualisht, ka shtuar burimi, Ali është kthyer në shtëpi dhe është në gjendje të mirë për të qenë një person i sëmurë nga parkinsoni.

Ndërkohë, edhe kampioni i kohëve të sotme, Vladimir Klitschko sapo është rikthyer në palestër pas një shtrimi të shkurtër në spitalin e Insbrukut, në Austri.

Zëdhënësi i boksierit ka bërë të ditur se dueli i tij kundër francezit Jean Marc Mormeck mbetet në program, për më 10 dhjetor në Duseldorf të Gjermanisë.

“Vladimir Klitschko është vizituar për një problem në veshka, por dueli do të zhvillohet ashtu sic është parashikuar”, ka deklaruar zëdhënësi Klaus Peter Dittrich.

Pas katër muajsh Klitschko ka në program edhe një duel tjetër, këtë herë me britanikun David Hay, të cilin e ka kërcënuar duke thënë se do ta hedhë në tapet brenda pak raundeve.

Top Channel