SHBA: Izraeli të dalë nga izolimi

03/12/2011 10:50

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta i ka bërë thirrje Izraelit që të riparojë marrëdhëniet me Turqinë, Egjiptin dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme për të reduktuar izolimin në rritje të tij.

Në një fjalim të mbajtur në Uashington, Panetta tha se Izraeli nuk është i vetmi fajtor, duke iu referuar “fushatës ndërkombëtare” për izolimin e tij.

Zoti Panetta bëri thirrje që Izraeli të rinisë bisedimet për paqen me palestinezët, si dhe shtoi se SHBA mbeten të angazhuara për sigurinë e vendit dhe për të mos i lejuar Iranit të pajiset me bombë atomike.

“Për fat të keq, në vitet e fundit ne kemi parë një izolim në rritje të Izraelit nga partnerët e tij tradicionalë të sigurisë në rajon. Edhe procesi i paqes në Lindjen e Mesme është lënë në pritje”, deklaroi Panetta.

Megjithatë, ai shtoi se, shqetësimi i Izraelit për revoltat e Pranverës Arabe që kanë sjellë rrëzimin e liderëve historikë në rajon, përfshirë Egjiptin, janë të kuptueshme.

Por ndryshimet e lidershipit në këto vende mund të ofrojnë një mundësi për Izraelin që të përmirësojë marrëdhëniet me qëllim rritjen e sigurisë rajonale, ka vlerësuar shefi i Pentagonit.

“Për shembull, Izraeli mund të tentojë dhe të riparojë marrëdhëniet me ata që ndajnë të njëjtat interesa për sigurinë rajonale, si Turqia, Egjipti dhe Jordania”, tha ai.

Egjipti dhe Jordania janë vendet e vetme arabe që njohin Izraelin, i cili po ndjek me vëmendje procesin zgjedhor në Egjipt, ku partitë islamike kanë dalë mirë në raundin e parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA