Irani: Gati të përballemi me cilindo armik

03/12/2011 00:00

“Forcat ushtarake iraniane, raketat iraniane janë gati sot më shumë se kurrë për t’u përballur me armikun”.

Kjo është deklarata e kreu të forcave të armatosura të Republikës Islamike Hassan Firouzabadi. Gjenerali i lartë tha në një intervistë për agjencinë e lajmeve, “Mehr” se Irani ka në dispozicion të gjithë arsenalin ushtarak, përfshirë raketat ballistike, për t’i bërë ballë kujtdo armiku që do provojë ta sulmojë.

Deklarata ka mbërritur pas shpërthimit në 12 nëntorin e shkuar në një bazë të Gardës Revolucionare, forcat elitë të Iranit. Pikërisht në këtë shpërthim gjeti vdekjen edhe gjenerali Hassan Moghadan, i konsideruar nga të gjithë si babai i programit raketor iranian.

Për sulmin në fjalë pak dihet, pasi autoritetet iraniane nuk kanë dhënë asnjë detaj për të, por mediat ndërkombëtare hamendësuan se sulmi ishte vepër e shërbimeve sekrete amerikane dhe izraelite. Një shpërhim i ngjashëm ndodhi edhe javën e shkuar në një central bërthamor në Isfahan. Shpërthimi nga Irani u quajt aksidental, ndërsa mediat britanike raportonin për një mision të suksesshëm të shërbimit sekret izraelit, Mossad.

Irani po përballet me një presion të shtuar të komunitetit ndërkombëtar, vecanërisht pas sulmit ndaj ambasadës britanike në Teheran. Sulmi u pasua pas vendimit të Londrës për sanksione ndaj Bankës Qendrore Iraniane dhe kundërpërgjigjen e parlamentit të Teheranit për ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe.

Mes dy vendeve kontakti diplomatik thuajse është zero. Londra, pas sulmit të ambasadës së saj në Teheran vendosi dëbimin e diplomatëve iranianë të cilët mbërritën në Teheran, ku u ishte rezervuar një pritje prej heronjsh.

Top Channel