Euro 2012, komentet pas shortit

03/12/2011 00:00

Protagonistët e europianit të ardhshëm kanë komentuar shortin e hedhur të premten në Kiev të Ukrainës.

Trajneri i Anglisë Fabio Capello ka theksuar se ndeshja e parë me Francën do të jetë dhe celsi i ecurisë së tyre në Euro 2012.

“Të gjitha skuadrat janë të forta dhe çdo ndeshje do të ketë vështirësinë e saj. Rezultati i sfidës me Francën do të jetë shumë i rëndësishëm”, ka përfunduar Don Fabio i cili në 2 ndeshjet e para do të bëjë pa Ëayne Rooney i pezulluar 3 ndeshje nga UEFA për shkak të sjelljes anti-sportive në sfidën me Malin e Zi.

“Mund të kishim rënë në një grup më të mire, ashtu sic mund të kishim rënë në një grup më të forte. Janë ndeshje të vështira, pasi do të luajmë me skuadra të forta, sic janë Anglia, Suedia dhe Ukraina që ka entuziazmin e të luajturit në shtëpi”, ka pohuar trajneri i Francës Lorent Blanc.

Gjermania është pjesë e grupit të ferrit, aty ku janë Holanda, Danimarka dhe Portugalia.

“Është grupi më i vështirë, por edhe më interesanti. Nëse do të dalim të parët në grup, kemi shumë mundësi për ta fituar këtë trofe”, tha Lëv pas shortit.

Trajneri i kampionëve në fuqi të Spanjës, Del Bosque ka qenë modest në deklaratat e tij.

“Nuk jemi të qetë, por do të punojmë për të arritur maksimumin. Të jemi gati për të luajtur”, deklaroi tekniku spanjoll.

Një reagim ka ardhur edhe nga kombëtarja tjetër që bën pjesë në grupin C, Irlanda, konkretisht nga trajneri i saj Giovanni Trapattoni.

“Unë kisha dëshirë ta shmangnim Italinë, për shkak të vullnetit të saj dhe sepse njihemi. Por e dinim që do të kishim përpara kundërshtarë të fortë”, ka thënë Trapattoni.

Italiani, i cili ka drejtuar pankinat e disa prej klubeve më prestigjoze të Europës, ka shprehur një dëshirë tjetër: “Uroj që të mos vritemi në atë ndeshje, por të arrijmë të qetë më 18 qershor”, ka shtuar tekniku i Irlandës.

Ndërkohë, trajneri i Italisë, Prandelli në një deklaratë për mediat vendase vlerësoi kundërshtarët duke shtuar se nuk i trembet Spanjës në grup, për këtë ai solli në kujtesë një takim miqësor të zhvilluar pak muaj më parë kur axurrët fituan ndaj iberikëve me rezultatin 2-1.

Ekipi tjetër që bën pjesë në grupin C, përvec Italisë, Spanjës dhe Irlandës, është Kroacia, që shpesh herë është kthyer në një makth për kombëtaret pretendente.

Shorti i hedhur të premten bëri që Euro 2012, që do të zhvillohet verën e ardhshme në Poloni dhe Ukrainë, të startojë me ndeshjen Poloni-Greqi.

Top Channel