Birmani, qeveria lejon mbajtjen e protestave

03/12/2011 00:00

Presidenti i Birmanisë, Thein Sein ka nënshkruar një ligj që lejon për
herë të parë mbajtjen e protestave paqësore, raportojnë mediat
shtetërore të vendit.

Ligji i ri u kërkon personave të interesuar të kërkojnë një leje të paktën pesë ditë para mbajtjes së protestës. Të gjitha manifestimet më parë kanë qenë të ndaluara.

Bëhet fjalë për reformën më të fundit të marrë nga qeveria civile e Birmanisë, që kur regjimi ushtarak dorëzoi pushtetin më herët gjatë vitit.

Ndërkohë, qeveria ka arritur një armëpushim me grupin e armatosur etnik, i vetëquajtur Ushtria Jugore e Vendit. Armëpushimi u nënshkrua të premten në shtetin lindor të Shanit.

Bisedimet për paqen me shumë grupe të armatosura të Birmanisë kanë qenë një kërkesë kyce e parashtruar nga vendet perëndimore në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Si armëpushimi ashtu dhe ligji i ri për protestat vijnë pasi sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton përfundoi një vizitë zyrtare në vend.

Të enjten zonja Clinton u takua kokë më kokë me presidentin Sein, ndërsa të premten me lideren pro-demokratike Aung San Suu Kyi, e cila tha se Birmania ka hyrë tashmë në rrugën e demokracisë.

Suu Kyi mirëpriti gjithashtu reformat e fundit që i kanë mundësuar partisë së saj të marrë pjesë në zgjedhje, por theksoi se ka ende shumë punë për të bërë.

Top Channel