Tunelet pengojnë ndërtimin e rrugëve

02/12/2011 08:10

Qeveria shqiptare është vendosur në vështirësi serioze sa i takon ndërtimit të rrugëve me tunele, pasi një pjesë e projekteve janë hartuar duke u bazuar me një kalim (galeri), në një kohë kur Bashkimi Europian ka ndryshuar kushtet, raportoi ditën e premte e përditshmja “Shqip”.

Zv.ministri i Transporteve, Ernest Noka, thotë se disa projekte rrugore, si Kardhiq-Delvinë apo Rruga e Arbrit, të konsideruara prioritet nga Kryeministri, ndodhen në fazë ngërçi, pasi ishte parashikuar në kontratë ndërtimi i tunelit vetëm me një galeri, në një kohë kur direktiva e fundit e BE-së thotë se për tunele me gjatësi mbi 500 m, nevojitet patjetër vendosja e dy galerive (sikurse është tuneli i Thirrës, në Rrëshen-Kalimash).

“Këto rrugë ndodhen në fazën e rishikimit të projektit dhe përfundimi i punimeve do të kërkojë kohë”, u shpreh Noka në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, kur po diskutohet buxheti i rrugëve për 2012-n.

Rruga e Arbrit ishte e parashikuar me dy tunele, 500 metra dhe 2.5 km, por vetëm me një kalim, kurse tuneli i Kardhiq-Delvinë mban një gjatësi rreth 900 metra.

Aktualisht, qeveria po ndërton tunelin e Krrabës të Tiranë-Elbasan me 4 km gjatësi dhe kosto rreth 8 miliardë lekë, i projektuar me dy galeri (ose tuba në gjuhë teknike), ndërsa tuneli në Kalimash kushtoi 28 miliardë lekë për 6 km gjatësi.

Të tjera projekte ndodhen në situatë të vështirë sa i takon realizimit të afateve, si ai i Milot–Fushë-Krujë, pasi qeveria kërkoi dublimin, në kundërshtim me atë çfarë kishte kërkuar Banka Botërore për projektin me dy kalime, ndërsa Levan-Vlorë po vuan vonesat e hartimit të projektit me gabime sa i takon pjesës së urave.

Problemet nuk kanë të sosur as me Fier-Tepelenë, rrugë e nisur prej dy vitesh, dhe ende nuk ka përfunduar, për shkak se ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës shkaktonte përmbytje në një pjesë të rrugës. Shumë akse kanë mbetur pezull edhe për shkak të shpronësimeve, si aksi i Plepa-Rrogozhinë.

Megjithatë, zv.ministri Noka garantoi se pjesa dërrmuese do të përfundojë në qershor të vitit tjetër. Debate të forta pati në komision edhe sa u takon borxheve që shteti ka ndaj firmave të ndërtimit.

Transportet nuk pranojnë se kanë detyrime, sikurse as Ministria e Financave. “Firmat punojnë më tepër sa janë fondet e parashikuara në buxhet e për rrjedhojë futen në borxhe”, tha Noka, por antari socialist, Arben Ahmetaj, vuri në dukje shkakun që lidhet me kushtin e përfundimit të punimeve. “Ndërtuesit futen në borxhe, pasi një VKM e qeverisë i detyron të përfundojnë 70% të rrugës, pastaj të marrin pjesë në tenderë”.

Tjetër diskutim u lidh me koncesionin e mirëmbajtjes së rrugëve. Aktualisht qeveria po negocion me IFC për dhënien te privati për mirëmbajtjen e aksit Milot-Kalimash-Morin, kundrejt pagesës. “Tenderi për caktimin e firmës parashikohet në dhjetor, ndërsa në janar shpallet fituesi”, shtoi Noka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA