Kandidati republikan për president në SHBA, Herman Cain, pranoi se ka patur një raport 13-vjeçar me një grua që pretendoi se ishte e dashura e tij e fshehtë.
Në një intervistë për një gazetë lokale, Cain pranoi se e ka mbajtur marrëdhënien të fshehtë nga gruaja e tij Gloria, por ritheksoi se nuk ka patur asnjë gjë seksuale në miqësinë e tij me Ginger White.
”Kam ndihmuar shumë miq, njerëz të kishës sime dhe të afërm. Të njëjtën gjë kam bërë edhe me Ginger, të cilës i kam paguar faturat e qerasë dhe shpenzimeve të tjera. Megjithatë, e kam bërë këtë pa marrë asgjë në shkëmbim dhe pa dyshim, pa kërkuar asnjë favor seksual”; u shpreh Cain.
I pyetur nëse në dritën e skandaleve të fundit do të tërhiqet nga gara, kandidati e pranoi se “kjo është një mundësi”.
Ndërkohë, Newt Gingrich vazhdon të fitojë pikë në sondazhe dhe falë tërheqjes së pritshme të Cain, pritet të shndërrohet në favoritin kryesor për t’u shndërruar në rivalin e presidentit Obama në zgjedhjet e ardhshme. Mitt Romney është kandidati tjetër potencial që duket se ka më shumë gjasa për të fituar nominimin përfundimtar.
Top Channel