SHBA, bie kuota e papunësisë

02/12/2011 20:55

Papunësia në Shtetet e Bashkuara ka rënë në kuotën 8.6 për qind në nëntor, në nivelin më të ulët prej dy vjetësh e gjysmë, nga 9 për qind që ishte në tetor.

Ekonomia amerikane bëri që të shtoheshin 120 mijë vende të reja pune nën nëntor, që sipas Departamentit të Punës kanë qenë sipas parashikimeve.

Numri i vendeve të punës të krijuara në shtator dhe në tetor është rishikuar dhe vlerësuar në 72 mijë.

Shtetet e Bashkuara janë përballur për shumë muaj me rritje të ngadaltë ekonomike, ndërkohë që kuota e papunësisë ka rezistuar me kryenecësi.

Një nga arsyet për rënien e ndjeshme të papunësisë në nëntor ishte numri i madh i personave që ndërprenë kërkimet për punë dhe për rrjedhojë nuk u llogaritën më si krah pune.

Raporti i Departamentit të Punës ka ndihmuar tregjet amerikane që të hapen me rritje, me indeksin e Dow Jones që është rritur me 0.8 për qind në mëngjes, me orën lokale.

Sektori privat shtoi 140 mijë vende pune gjatë muajit, ndërsa punësimi në sektorin publik vazhdoi rënien.

Sektori i shitjeve me pakicë regjistroi sërish avantazhe me 50 mijë vende pune të shtuara, ndërkohë që bizneset që ofrojnë shërbime për kohën e lirë dhe argëtimin, si dhe sektori shëndetësor panë gjithashtu rritje. Ndërsa industria përpunuese dhe ajo e ndërtimit regjistruan vetëm një rritje të vogël.

Numri i vendeve të punës të krijuara në tetor u rishikua dhe u vlerësua në 100 mijë nga 80 mijë që ishte, ndërkohë që shifrat e shtatorit u ngritën në 210 mijë nga 158 mijë. Analistët thonë se të dhënat në fjalë janë inkurajuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA