Pique do të luajë ndaj Real Madrid

02/12/2011 15:30

Komisioni i garave i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) ka vendosur që të dënojë me një ndeshje për grumbullim kartonash futbollistin e Barcelonës Gerard Pique, i cili në ndeshjen e së martës ndaj Rayo Vallecano u ndëshkua me kartonin e pestë të verdhë duke plotësuar ciklin.

Në këtë mënyrë, mbrojtësi spanjoll do të mungojë vetëm në ndeshjen e së shtunës ndaj Levantes dhe mund të luajë në supersfidën e datës 10 dhjetor, atë ndaj Real Madrid, në Santiago Bernabeu.

Në ditët e fundit ishte folur për mundësinë e një ndëshkimi me dy ndeshje për Pique pasi ai e mori me dashje kartonin e verdhë pikërisht për të mos rrezikuar mungesën ndaj Realit në rast se do ndëshkohej në ndeshjen e ardhshme ndaj Levantes. Por, Komisioni nuk e pa të arsyeshme një dënim me dy ndeshje, ashtu siç parashikon edhe rregullorja.

Artikulli112.3 i kodit disiplinor të RFEF parashikon dënimin me dy ndeshje pezullim të një futbollisti nëse ai “kërkon” ndëshkimin me karton të verdhë në mënyrë që të mos luajë një ndeshje dhe për të shkuar “i pastër” në një ndeshje tjetër më të rëndësishme.

Por, arbitri që ndëshkoi Pique-n, Perez Lasa, nuk shkroi në raport se katalanasi e mori me dashje kartonin, por vetëm se ai u ndëshkua me të verdhë për vonesën e lojës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA