Perez: Casillas, portieri më i mirë në botë

02/12/2011 00:00

Portieri spanjoll Iker Casillas është kthyer prej vitesh në një element sigurie për kuadratin e Realit të Madridit dhe kombëtares iberike.

Ai ka fituar me meritë shiritin e kapitenit në të dy këto skuadra dhe forma e tij e shkëlqyer, nuk është vënë në diskutim gati asnjëherë, edhe kur përballë fenomenit Messi, detyrohet të pësonte edhe 5 gola.

Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, ka vlerësuar Iker Casillas si portierin më të mirë në historinë e “klubit mbretëror”, por edhe të Spanjës. Biznesmeni madrilen mendon se Casillas duhet t’u shërbejë fëmijëve si shembull.

“Ai erdhi në këtë skuadër si fëmijë, por u zhvillua dhe u bë portieri më i mirë në botë”, ka theksuar Perez në promovimin e librit autobiografik të Casillas-it.

“Fëmijët sot shohin tek ai, një simbol dhe shembullin më të mirë për ta ndjekur. Ai thjesht është portieri më i mirë në historinë e Real Madrid-it dhe Spanjës”, ka nënvizuar Perez. Gardiani i Realit është lojtari me numrin më të madh të paraqitjeve në kombëtaren e Spanjës.

Casillas ka mbrojtur portën në 127 ndeshje për kombëtaren spanjolle dhe ka pasur rol tejet të rëndësishëm në suksesin që ka arritur kjo skuadër në Euro 2008 dhe Botërorin 2010, kur u shpall kampione me fitoren 1-0 ndaj Holandës.

Top Channel