Chivu tek Napoli, Inzaghi në Angli?

02/12/2011 11:10

Merkatoja e janarit 2012 pritet të jetë më intensive se kurrë, të paktën në futbollin italian, ku duke parë tabelën, ekziston një ekuilibër i jashtëzakonshëm midis skuadrave.

Juventusi kryeson dy pikë përpara Milanit, por ekipe të tjera të mëdha si Roma, Interi apo Napoli, përfshi surprizat Lazio e Udinese janë ende në luftë për një vend në Champions League dhe mbase edhe për titull, nëse arrijnë të regjistrojnë disa fitore radhazi.

Sipas “Corriere dello Sport”, një blerje të bujshme është duke e planifikuar Napoli, i cili ka vendosur në qendër të vëmendjes mbrojtësin e Interit, Christian Chivu. Rumuni ka një kontratë në skadencë në fund të vitit dhe në Milano janë duke kërkuar një zëvendësues për të.

Napoli do të tentojë që ta sigurojë që në janar, ndërsa në rast se marrëveshja nuk realizohet, pothuajse i sigurt kalimi i Chivut në merkaton e ardhshme verore. Nëse do të ndodhë, kalimi i Chivut në “San Paolo” do të ishte i dyti në aksin Inter-Napoli brenda vitit, pas atij të Pandevit.

Ndërkohë, Milani raportohet gjithmonë e më pranë De Rossit për sezonin e ardhshëm. Kuqezinjtë vazhdojnë të punojnë edhe për Tevezin në janar, periudhë gjatë së cilës mund të ndodhë edhe largimi i Inzaghit.

I lënë jashtë planeve të trajnerit Allegri, pavarësisht dëshirës për të mbyllur karrierën në “San Siro”, 38-vjeçari duket se ka marrë vendimin për t’u larguar. Në Itali janë gati t’i ofrojnë një kontratë Parma dhe disa klube të tjera, por duket se “Superpippo” do të preferonte një përvojë të fundit jashtë. Blackburn dhe disa klube të tjera të Premier League thuhet se kanë kontaktuar agjentin e futbollistit, për t’i bërë të qartë interesimin e tyre, nëse ai do të vendosë të largohet prej Milanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA