
Ministria e Shëndetësisë njofton se 478 persona në vend janë të prekur
nga HIV, ndërsa vetëm në vitin 2011 janë identifikuar 65 raste të reja.
Ndërkohë ky numër mund të jetë më i madh, pasi persona të tjerë, të cilët nuk kanë kryer testin mund të jenë të prekur nga virusi i rrezikshëm.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë mosha më e prekur është 25 deri 45 vjec, dhe 63 përqind e të infektuarve i përkasin kësaj grupmoshe.
SIDA, bie me 21% numri i vdekjeve
Vdekjet e shkaktuara nga SIDA janë në nivelin më të ulët që nga 2005-a, vit në të cilin arritën edhe kulmin. Bëhet fjalë për 21% raste më pak. Rezultati ka dalë nga raporti i Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit shkaku i kësaj rënieje është shtimi i përdorimit të medikamenteve kryesisht antiretrovirale, të cilat ngadalësojnë në maksimum përhapjen e sëmundjes në organizmin e njeriut.
Sipas studimit, bota ndodhet në mesin e një ndryshimi të madh dhe shumë pozitiv sa i përket përhapjes së kësaj sëmundjeje, që prej 20 vjetësh ka shkaktuar mijëra viktima sidomos në vendet e varfra dhe në kontinentin afrikan. Edhe pse në mesin e një krize financiare, vendet që kanë qenë dhe janë problematike kanë shënuar rezultate shumë të mira në parandalimin dhe kurimin e AIDS-it. Ndërkohë, sipas shifrave të fundit, numri i personave që jetojnë me SIDA-n në trup është 34 milionë. Përmirësimin më të madh e ka edhe zona që ka qenë dhe është më shumë problematike në botë, Afrika Subahariane.
Në këtë vend është shtuar me 20% numri i personave që marrin trajtime mjekësore. Vitin e kaluar janë parandaluar 700 mijë vdekje pikërisht për shkak të aksesit më të mirë në trajtimin me medikamentet e posaçme. Në vitin 2010 pati 2.7 milionë të infektuar të rinj me AIDS, ndërsa që në vitin 1997 kjo shifër ishte 3.2 milionë. Vjet humbën jetën 1.8 milionë njerëz nga SIDA ndërsa në vitin 2005 vdiqën 2.2 milionë.
Përmirësimi është i dukshëm dhe i madh në disa vende, veçanërisht si për shembull në Namibi, ku ka edhe ndërgjegjësim shumë të madh nga popullsia edhe për përdorimin e masave parandaluese. Raporti është shumë optimist, duke theksuar se ndoshta në vendet që do të investojnë më shumë në parandalimin dhe në kurimin e sëmundjes ajo do të zhduket fare në një kohë relativisht të shkurtër.
Top Channel